BE i kërkon AstraZeneca-s të dorëzojë vaksinat pa vonesa

Nga Exit News
BE i kërkon AstraZeneca-s të dorëzojë vaksinat pa vonesa

Bashkimi Europian i ka kërkuar të hënën kompanisë AstraZeneca të përmbushë detyrimet e saj për të furnizuar BE-në me vaksina, sipas kontratës së arritur mes tyre.

Të premten AstraZeneca tha se do të kishte vonesa në dorëzimin e vaksinave në tremujorin e parë të 2021.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen foli me shefin e AstraZeneca, Pascal Soriot të hënën, konfirmoi zëdhënësi i saj Eric Mamer.

“Von der Leyen e ka bërë të qartë që pret nga AstraZeneca dërgimin e vaksinave sipas marrëveshjes kontraktuale”, tha ai.

Von der Leyen i ka thënë  Soriot se BE ka investuar një shumë të konsiderueshme në këtë kompani.

Një zëdhënës i Komisionit Europian për shëndetin,  Stefan de Keersmaecker, zbuloi se Komisioneri i Shëndetësisë Stella Kyriakides i kishte shkruar një letër kompanisë gjatë fundjavës për të kërkuar “sqarime të mëtejshme”.

“Në këtë letër, Komisioneri thekson rëndësinë e dërgesave në përputhje me oraret e përcaktuara në marrëveshje”, tha ai.

Bordi Drejtues i BE, i përbërë nga zyrtarë shëndetësorë nga Komisoni dhe vendet anëtare, zhvilloi të hënën një takim virtual me AstraZeneca për të diskutuar çështjen, tha de Keersmaecker.

Unioni siguroi 300 milionë doza të vaksinës AstraZeneca në gusht 2020.

Agjencia Europiane e Barnave  nuk e ka miratuar ende vaksinën e cila tashmë është prezantuar  në Britani, Indi, Meksikë dhe Brazil.

Rregullatori Evropian pritet të japë miratimin e tij në 29 Janar.

Fushata e vaksinimit e BE-së, e cila filloi në fund të dhjetorit është mbështetur deri më tani në vaksinat e zhvilluara nga Pfizer / BioNtech dhe Moderna.

Por shpërndarjet e vaksinës Pfizer në vendet anëtare të BE janë ngadalësuar gjithashtu gjatë dy javëve të mëparshme.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>