Vaksinimi i shpejtë i popullsisë në Izrael, me vaksinën e Pfizerit, ka ulur ndjeshëm numrin e të infektuarve me Covid-19 dhe rezulton të jetë 95 për qind efektive, kur bëhet në dy doza.
Izraeli, vendi që ka përqindjen më të lartë të popullsisë së vaksinuar të paktën me një dozë – rreth 35 % të popullsisë, – ka publikuar disa të dhëna inkurajuese sa i takon mbrojtjes që siguron vaksina e Pfizerit.
Ekspertët izraelitë, gjithsesi, sqaruan se të dhënat janë paraprake dhe nuk i janë nënshtruar provave klinike.
Disa prej përfundimeve të nxjerra nga Clalit, fondi më i madh shëndetësor i Izraelit, janë:.
– Pas dy dozave, vaksina Pfizer rezulton 95 për qind efektive, në parandalimin e infektimit me koronavirus tek njerëzit që nuk ishin infektuar më parë.
– Nga 428 mijë izraelitë që morën dy doza vaksine, një javë më vonë vetëm 63, ose 0,014 për qind, janë infektuar me Covid-19.
– Nga 128 mijë izraelitë që morën dy doza vaksine, mbi 10 ditë më vonë, vetëm 20, ose 0,0001 për qind janë infektuar me Covid-19.
– Në studimin e 200 mijë qytetarëve mbi 60 vjeç që morën dozën e parë të vaksinës, rezultoi se pas dy jvësh, pacientët e vaksinuar kishin 33 për qind më pak gjasa të infektoheshin.
Izraeli, vendi ku vaksinimi po bëhet më shpejt se kudo tjetër, është kthyer në ‘një laborator; të madh studimi dhe informacioni për efikasitetin e vaksinës për gjithë botën.
Vendi bëri një marrëveshje me Pfizerin për të siguruar furnizim të vazhdueshëm me vaksina, në këmbim të të dhënave gjatë vaksinimit.
Përveç vaksinimit, qeveria izraelite ka vendosur një karantinë kombëtare për të parandaluar sa më shumë përhapjen e Covid-19.