Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të shqyrtojë më 16 shkurt ankimimin e Kryebashkiakut Veliajt për dy gjobat për zhvillimin e aktiviteteve të ndaluara gjatë periudhës zgjedhore. KQZ gjobiti të martën kryebashkiakun Erion Veliaj me 70 mijë lekë për Kryerjen e aktiviteteve të ndaluara; mosraportimin e këtyre aktiviteteve; dhe promovimin e aktiviteteve të ndaluara.
Vendimi i KQZ erdhi pas denoncimit të LSI për vizitat e kryebashkiakut Veliaj në shtëpitë e rindërtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Veliaj tha se po gjobitet pasi po punon dhe lajmëroi se do të apelojë vendimin. Ai akuzoi KQZ se po favorizon opozitën.
KQZ miratoi një vendim mbi aktivitetet e ndaluara, ku përcaktohet se vizitat në shtëpitë e rindëruara janë të ndaluara përveç rasteve kur fondet ose projekte kanë filluar përpara periudhës së ndaluar.
Kryeministri Edi Rama i doli në mbrojtje Erion Veliaj duke thënë se ajo gjobë do të sqarohet pasi “Veliaj nuk bërë inaugurime”, duke iu referuar vizitave të tij në shtëpitë e rindërtuara.