Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehet se brenda 6 muajsh, një qeveri e drejtuar nga ai do të bëjë të mundur pjesëmarrjen e Shqipërisë në konferencën ndërqeveritare me vendet e BE-së, që shënon edhe hapjen në praktikë të negociatave.
Në një intervistë për News 24, Basha tha se integrimi europian është “një nga prioritetet kryesore të programit të PD”.
“Përgjegjësi i vetëm për dështimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit Europian është Edi Rama”, tha Basha.
Basha tregoi se ka biseduar me kryeministrin e Sllovenisë dhe të Kroacisë rreth çështjes së integrimit dhe se nga të dy ka marrë garanci për mbështetjen e Shqipërisë në këtë proces.
Në mars të 2020, Këshilli Europian ra dakord në parim për çeljen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë.
Konferenca ndërqeveritare me vendet anëtare shënon hapjen në praktikë të negociatave. Një datë nuk është vendosur ende se kur ajo do të zhvillohet por më parë BE kishte kërkuar funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë dhe zbatimin e reformës zgjedhore si parakushte.