Ish-deputeti i Partisë Socialiste dhe Sekretari për marrëdhëniet me mediat dhe shoqërinë civile në PS, Alfred Peza, ka njoftuar sot qëllimin e tij për të mos qënë pjesë e kandidatëve për deputet të kësaj force politike në zgjedhjet e 25 prillit.
Njoftimin e ka bërë vetë Peza me anë të një statusi në rrjetet sociale.
Ai ka zbuluar se ka refuzuar propozimin e kryeministrit Rama për një vend në listën e kandidatëve, pasi nuk e sheh veten deputet në këtë fazë të jetës e aktivitetit të tij.
Për takimin me Ramën, Peza u shpreh:
“Më erdhi mirë që në vlerësimin e tij, ai nënvizoi se në debatin publik kam kontribuar jo si “partizan”, po si qytetar i angazhuar. Natyrisht me bindje e kahje në mbështetje të punës së kësaj maxhorance, por pa e shkelur kurrë etikën dhe pa i hyrë kurrë në hak partizançe palëve të tjera.”
Peza e mbylli njoftimin duke thënë se do të mbetet i angazhuar në Partinë Socialiste.
Javën e fundit janë tërhequr nga rikandidimi për postin e deputetit Vasilika Hysi dhe Besnik Baraj.
PS publikoi të enjten listën e kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit, ku lista e Tiranës kryesohet nga ministrja e drejtësisë, Etilda Gjonaj.