Vjosa Osmani: Vullneti i qytetarëve, i shprehur më 14 shkurt u plotësua

Nga Exit News
Vjosa Osmani: Vullneti i qytetarëve, i shprehur më 14 shkurt u plotësua

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani deklaroi të hënën pas zgjedhjes së saj në krye të shtetit të Kosovës se “vullneti i qytetarëve, i shprehur më 14 shkurt u plotësua dhe institucionet e vendit të dala nga ky vullnet u konstituuan plotësisht”.

Ajo tha se të dielën me zgjedhjen e presidentit u përmbyll me dinjitet një model i zjedhjeve demokratike.

U vulos një ndër shembujt më të mirë të funksionimin të demokracisë, tha Osmani dhe shtoi se “ u respektua vullneti i qytetarëve”.

“Jam plotësisht e vetëdijshme për pritshmëritë që ju i keni. Por, po ashtu jam e vetëdijshme që misioni ynë është shumë më shumë se sa angazhim politik, ngaqë se çdo mision i nisur me bekimin e qytetarëve e që derivon nga vullneti i tyre, është mbi të gjitha, mision fisnik”, u shpreh përmes një postimi në Facebook të hënën presidentja Osmani.

Ajo tha se qeveria e re e Kosovës duhet të dallojë “se si të ndajmë të mirën nga e keqja, të bëjmë diferencën në mes të së tashmes dhe të kaluarës”.

Zgjedhja e Osmanit si presidente e Kosovës

Vjosa Osmani u zgjodh presidente e Kosovës me 71 vota pro të dielën.

Asnjë nga dy kandidatët – Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta – nuk ishin në gjendje të merrnin 80 vota pro në dy raundet e para të votimit. Në raundin e tretë dhe të fundit, Osmani mori 71 vota, 10 më shumë se 61 të nevojshmet. Bejta nuk mori asnjë votë, ndërsa 11 u gjetën të pavlefshëm.

Osmani u zgjodh me mbështetjen e Vetëvendosjes dhe pakicave joserbe. Partia e saj e mëparshme, Lidhja Demokratike e Kosovës mori pjesë në seancë dhe mundësoi kuorumin por nuk e mbështeti atë. Partitë e tjera të opozitës, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Srpska ishin kundër zgjedhjes së saj dhe bojkotuan seancën e votimit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>