Kreu i PD, Lulzim Basha, në një takim me banorët e Burrelit, ka shpallur objektivat e qeverisë së udhëhequr prej tij në fushën e energjisë dhe e burimeve minerare.
Ai premtoi se brenda 6 muajve të qeverisjes, do të miratojë statusin e minatorit.
“Brenda 6 muajve të parë sipas parimeve dhe standardeve Europiane në dialog dhe në konsesus të plotë me përfaqësuesit tuaj dhe sindikatat tuaja statusi i minatorit do të jetë realitet,” deklaroi Basha.
Ai shtoi se vendi po përgatitet për të hyrë në BE, por integrimi mund të vijë vetëm duke arritur standardet, duke thithur investimet, duke rritur pagat e duke garantuar atyre një të ardhme përmes arsimimin të duhur.
Ai ftoi banorët që ta përdorin votën e tyre në mbështetje të PD dhe për të ndërshkruar qeverinë, që në 8 vite, nuk ka mbajtur premtimet.