Nënkryetari i LSI Petrit Vasili denoncoi të mërkurën Partinë Socialiste, për rrugën Peshkopi Selenicë. Ai tha se qeveria nuk ka bërë asnjë punim në këtë rrugë dhe tani për fushatë “po bën sikur po punon”.
“Kjo qeveri mashtruesish ka paturpësinë e shkruan edhe në tabelën e punimeve datën prill 2021”, tha Vasili.
Vasili u shpreh se të gjithë banorët e kësaj bashkie “do ta shporrin këtë qeveri mashtruesish në datën 25 prill”.
Gjatë emisionit “Me Pak Fjalë” të martën u dha një panoramë se si ka ndryshuar investimi në infrastrukturën rrugore në Shqipëri.
Investimet në infrastrukturën rrugore nuk janë pjesë e fushatave elektorale të partive kryesore. Opozita nuk i ka përmendur, ndërsa kryeministri Rama duket i tërhequr më shumë pas projekteve të porteve dhe aeroporteve.
Gjatë viteve 1997-2002, u bënë një sërë rrugësh përfshi Tiranë – Durrës, Durrës–Lushnjë, Librazhd– Qafëthanë, etj.
Megjithatë, rrugët do të bëheshin prioritet kombëtar gjatë qeverisjes së PD.
Buxheti i qeverisë Berisha gjatë 8 viteve për infrastrukturën rrugore ishte mbi 306 miliardë lekë, rreth 2,3 miliardë euro.