Kandidimi i minatorit Elton Debreshi, i cili kandidon si i pavarur në Dibër, ka bërë jehonë në disa media ndërkombëtare.
Ato kanë mbështetur kandidimin e Debreshit duke pasqyruar synimet e tij dhe gjendjen e minatorëve në Bulqizë, që është qëllimi kryesor i kandidimit të tij.
Të dielën Debreshi publikoi një intervistë që ka zhvilluar me median greke “Prin”.
Në këtë intervistë Debreshi sqaron idenë e kandidimit të tij, e cila erdhi nga minatorët dhe nuk është një qëllim personal.
“Kandidimi im si në zgjedhjet vendore nuk ishte një vendim personal. Ajo ishte kërkesa e shokëve të mi minatorë, anëtarë të sindikatës, të cilët i panë zgjedhjet e ardhshme si një mundësi që zëri ynë të dëgjohej brenda Parlamentit”, shprehet Debreshi në këtë intervistë. Më tej ai ka sqaruar sistemin elektoral në Shqipëri, qëndrimin e partive të tjera, kërkesat e tij, gjendjen e klasës punëtore në Shqipëri etj.
Mbështetja ndërkombëtare ndaj Debreshit
Pak ditë më parë Debreshi u mbështet nga ish ministri grek Yanis Varoufakis në Twitter dhe nga Progressive International.
Më herët media zviceriane Area online mbështeti Debreshin me një artikull duke i dhënë zë kandimit të tij dhe kauzës që ai po përpiqet ta dërgojë në Parlament, që është miratimi i Statusit të Minatorit.
L’espresso është një tjetër media që ka publikuar për kandidimin e Debreshit.
Disa media të tjera që kanë publikuar për kandidimin e tij janë: Ballkan Insight, L’anticapitaliste, Lefteast.org, Nueva periodico, Viento sur, Info libertarie, Edromos, TRT.
Ai ështrë mbështetur po ashtu dhe nga “International Labour Netëork of Solidarity and Struggles”
Kandidimi i Elton Debreshit
Elton Debreshi është kryetar i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. Kandidimi i tij erdhi si nevojë e minatorëve për të miratuar Statusin e Minatorit, sikurse ka deklaruar dhe Debreshi.
Prej vitesh “Statusi i Minatorit” është premtuar nga politikanë të ndryshëm, por sot në 2020 mbetet ende një premtim i pambajtur.
Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës u themelua në 17 Nëntor 2019. Pas shumë vitesh minatorët bënë një përpjekje të një organizimi, duke u shkëputur kështu nga sindikatat e vjetra, të cilat ata i konsiderojnë të kapura nga politika dhe pronarët.
Pas themelimit, Gjykata e Tiranës e njohu ligjërisht sindikatën e re në 15 tetor.
Që prej themelimit Sindikata ka bërë disa përpjekje për të përmirësuar gjendjen e minatorëve.
Megjithatë rrugëtimi i tyre sindikal nuk ka qenë i lehtë. Vetëm pesë ditë nga shpallja e SMBB-së, kompania Albchrome pushoi nga puna kryetarin Elton Debreshi.
Por kjo nuk e ndaloi Debreshin, por e shtyu atë të marrë hapin e tjetër për t’i shkuar deri në fund kërkesës për të drejtat e minatorëve.