Një burrë që pretendohet se ka mashtruar 390 000 investitorë të kriptomonedhës me shumën prej 2 miliardë dollarësh besohet të jetë në arrati në Shqipëri.
Faruk Fatih Ozer, pronari i shkëmbimit të kriptovalutave Thodex, çaktivizoi profilet e tij të mediave sociale dhe u nis për në Tiranë, sipas transmetuesit të televizionit turk Haberturk.
Zyra e Kryeprokurorit të Stambollit i tha medias se po hetonin shkëmbimin pasi përdoruesit thanë se nuk ishin në gjendje të hynin në pasuritë e tyre. Nëse vërtetohet keqbërja, Ozer mund të përballet me akuza serioze duke përfshirë mashtrim dhe formimin e një organizate kriminale.
Haberturk deklaroi se departamenti i krimeve kibernetike i policisë kishte bastisur zyrat e Thodex dje ndërsa agjencia e hetimit të krimeve financiare vendosi një ngrirje në të gjitha llogaritë bankare.
Disa media turke botuan një deklaratë sikur ishte nga Ozer, i cili mohoi akuzat dhe tha se ai ishte larguar nga vendi për të mbajtur takime me investitorë të huaj. Ai shtoi se do të kthehej në Turqi në ditët në vijim për të biseduar me autoritetet.
Në përgjigje të pyetjeve pse faqja ishte e padisponueshme, ai tha se ishte për shkak të një sulmi kibernetik.
Më parë gjatë javës, Thodex postoi një mesazh në faqen e saj të internetit duke thënë se ata do të mbyllen për disa ditë për shkak të investimeve të mundshme nga jashtë. Përdoruesit ankoheshin në masë pasi nuk ishin në gjendje të depozitojnë ose tërheqin fonde, apo edhe të hyjnë në llogaritë e tyre.
Ai u fotografua në kontrollin e pasaportave në aeroportin e Stambollit. Media ka pretenduar se ai ishte duke shkuar në Shqipëri, por kjo nuk është verifikuar.