“Zgjedhjet e 25 prillit treguan se kombi po shkon drejt stabilitetit, tre dekada pas rrënies së komunizmit,” ka deklaruar Kryeministri Edi Rama në një intervistë për Financial Times nga Tirana.
“Shqipëria është një demokraci adoleshente, dhe si çdo adoleshent ajo ka probleme, por po rritet dhe do të arrijë pjekurinë për një kohë jo të gjatë”, ka shtuar ai.
Për akuzat e opozitës për dhunë në zgjedhje, blerje e deformim të votës nga Partia Socialiste, Rama ështe shprehur se “ata që nuk dinë çfarë të bëjnë me lirinë e fjalës e ankohen për mungesë lirie.”
Rama ka veçuar refuzimin i PD-së dhe LSI-së për t’u përfshirë në institucione politike si arsyen për rezultatin e tyre të dobët, duke vënë në pah se PD shtoi votat e saj në kurriz të LSI-së.
“Opozita ka humbur betejën e saj të pestë radhazi – tre zgjedhje të përgjithshme dhe dy lokale – sepse ata kurrë nuk kanë qenë humbës të mirë. Nëse je një humbës i keq, nuk mund të fitosh,” tha Rama në intervistë.
Sipas komentit të FT-së, analistët politikë shprehen se rezultati i këtyre zgjedhjeve do të vazhdojë të ndikojë shoqërinë e polarizuar, e cila po lufton për të kapërcyer paralizën politike që ka pllakosur vendin në katër vitet e fundit.
I pyetur për mandatin e 3-të, Rama u shpreh se tani ai është më i përqendruar në zbatimin e një plani zhvillimi prej 10 miliardë eurosh me fokus në turizëm.
Kjo do të përfshijë ndërtimin e autostradës bregdetare, një port turistik prej 2 miliardë eurosh në qytetin e Durrësit, më i madhi në historinë shqiptare, i zhvilluar nga grupi Emaar, zhvilluesi i Burj Khalifa dhe Dubai Mall.
Ndërsa, për dokumentat jo zyrtare për ndarjen e kufijve në Ballkan, ai i cilësoi si “një mungesë vizioni”. “Kjo tregon një dobësi brenda, mungesë vizioni koheziv në lidhje me zgjerimin dhe mungesën e një procesi të qëndrueshëm për ta zbatuar atë,” tha Rama.
Përsa i përket anëtarësimit në BE, Rama u shpreh se anëtarësimi mbetet tërheqës pavarësisht shqetësimeve të BE-së gjatë krizës së refugjatëve në vitin 2015 dhe pandemisë.
“Nëse Shqipëria është një adoleshente, Brukseli po vuan nga një amnezi për atë se kush janë, cili është qëllimi i ekzistencës së tyre,” tha ai. “Ata janë forca më e madhe e krijuar nga njerëzimi dhe shpresoj se do të shërohen shpejt sepse pa to bota është një vend shumë më i keq”, shtoi Rama.