Kosova ka dënuar sulmin e Hamasit ndaj popullsisë civile izraelite gjatë luftimeve të ashpra që kanë nisur prej ditës së hënë të kësaj jave.
Ministria e Jashmtme e Kosovës shprehet se Izraeli ka të drejtën dhe detyrimin për t’u mbrojtur ndaj këtyre sulmeve.
“Si çdo shtet, Izraeli ka të drejtën dhe detyrimin për të mbrojtur popullin e tij kundër 2000+ raketave të qëlluara ndaj civilëve vetëm nga Hamas, i cili po mban peng civilët palestinezë në luftën e tij. Ne vajtojmë të gjitha viktimat. Ne bëjmë thirrje për përmbajtje, të ndalë dhuna dhe të kërkojmë zgjidhje paqësore”, shkruhet në reagimin e ministrisë së Jashme të Kosovës në Twitter.
Hamasi, grupi që qeveris në Gaza, lëshoi të hënën raketa në drejtim të Jeruzalemit dhe Tel Avivit si hakmarrje për përplasjet e policisë izraelite me palestinezët pranë Xhamisë Al-Aqsa në Jeruzalem, vendi i tretë më i shenjtë i fesë islame.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është zotuar të “vazhdojë të përgjigjet me forcë” ndaj sulmeve me raketa të Hamasit.
Mbi 150 persona kanë humbur jetën në Gaza, mes tyre dhjetëra fëmijë ndërsa në Izrael raportohet për 10 viktima.