Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani tha të enjten se Shtetet e Bashkuara ishin të gatshme të heqin sanksionet mbi sektorët e naftës, bankave dhe transportit që u rivendosën pasi ish-presidenti i SHBA Donald Trump doli nga marrëveshja bërthamore e 2015, tre vjet më parë.
Irani dhe fuqitë e tjera botërore kanë qenë në bisedime për rikthimin në fuqi të marrëveshjes, sipas të cilës Irani pranon të kufizojë kapacitetet e uraniumit në këmbim të heqjes së sanksioneve nga fuqitë perëndimore dhe SHBA.
Zyrtarë të BE janë shprehur optimistë për arritjen e një marrëveshjeje raporton Reuters, megjithëse ende mbeten çështje të vështira për t’u diskutuar.
“Ata kanë pranuar të heqin sanksionet mbi sektorët e naftës dhe transportit të Iranit, si dhe sanksionet ndaj Bankës Qendrore” tha Presidenti Hassan Rouhani.
Sipas zyrtarëve iranianë të cituar nga Reuters, do të kemi të bëjmë me heqje të pjesshme të sanksioneve nga Uashingtoni.
Paralajmërimet për arritjen e një marrëveshjeje nga ana e diplomatëve ka bërë që çmimi i naftës së papërpunuar në tregjet ndërkombëtare të bjerë pasi heqja e sanksioneve ndaj Iranit pritet të rrisë ofertën e naftës.