Kosova arrin marrëveshje me kompaninë e Pfizer, njoftoi të shtunën kryeministri Albin Kurti. Përmes një postimi në Twitter, Kurti shkruan se 1.2 milionë doza do të arrijnë në fund të vitit.
“Marrëveshja me Pfizer u arrit. Mbi 1.2 milion doza deri në fund të vitit, duke bërë që objektivi ynë për vaksinimin e 60 përqind të popullsisë të bëhët i mundur.”
Kjo është kontrata e parë që Kosova ka arritur të nënshkruajë me ndonjë kompani farmaceutike për sigurimin e vaksinave kundër koronavirusit.
Deri më tani, Kosova ka përdorur vaksinat e dhuruara nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe nga Bashkimi Evropian.
Të enjten, Kosova ka pranuar një kontingjent prej mbi 100 mijë vaksinash të kompanisë Pfizer nga COVAX-i.