Kryeministri kosovar, Albin Kurti hodhi poshtë mundësinë e pranimit të krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe të martën.
I pyetur nga mediat vendase, gjatë një vizitë në Prizren, Kurti tha:
“Unë më duket se ju përgjigja se çka do të ndodhë me asociacionin. E ka thënë edhe peticioni i qytetarëve edhe veprimet e atëhershme opozitare e qe besa edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.”
Ai shtoi se në Kosovë qytetarët duhet të integroheshin pa dallim etnie e se Asociacioni ishte një ngrehinë që nxiste përçarje.
“Në Kosovë nuk mund të kemi Asociacion njëetnik, pra është e domosdoshme që t’i integrojmë të gjithë qytetarët pa dallim etnie, të mos krijojmë ngrehina të cilat i ndajnë e i përçajnë ata“, u shpreh Kurti.
Kurti foli edhe për takimin e pritur me presidentin serb Vuçiç, i cili do të zhvillohet në mes të qershorit.
Ai u pyet nëse kishte presion për zhvillimin e dialogut nga BE-ja dhe SHBA-të, diçka që e hodhi poshtë.
“Presion nuk ka, ka diskutime të vazhdueshme, dialogu do të jetë parimor, do të jetë i drejtë, ku Kosova nuk është objekt në tryezë po është palë në bisedime dhe me dijen, programin tonë dhe me ndërgjegjen e përgjegjësinë që kemi treguar ngaherë do ta përfaqësojmë Republikën e Kosovës për interesat e Republikës së Kosovës“, tha Kurti.
Deklarata vjen pas vizitës së Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe të Dërguarit të Posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Mattheë Palmer.
Ky i fundit deklaroi të martën në Prishtinë se njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë qëllimi kryesor i dialogut mes dy shteteve.