Grupimi qytetar “Ne jemi Teatri”, përmes një letre të hapur, i bëri thirrje të mërkurën anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që të jenë paanshëm në gjykimin e çështjes së lidhur me shembjen e Teatrit Kombëtar.
Më 3 qershor Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë vendimet e qeverisë për shembjen e Teatrit Kombëtar.
Gjykata do të vendosë mbi dy paditë e kryera nga Presidenti Meta, për shfuqizimin e ligjit special të Teatrit dhe vendimin e Këshillit të Ministrave për kalimin e truallit të Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë Tiranë.
Aktivistët theksojnë se qytetarët, prej 3 vjetësh, presin drejtësi “që për ne do të thotë: shpallje si jo kushtetues të ligjit special dhe të VKM-së, dënim të fajtorëve për shembjen e teatrit dhe rindërtim të Teatrit Kombëtar aty ku ishte siç ishte“.
Grupimi shkruan se thirrja e tyre për anëtarët e trupës gjykuese është që “më 3 Qershor 2021 të gjykojnë bazuar në kushtetutën e vendit dhe në etikën profesionale dhe jo të ndikuar nga presionet e kastës në pushtet dhe botës së errët që qëndron pas saj”.
Duke e konsideruar Ligjin Special një shembull të rrezikshëm “për keqpërdorimin dhe tjetërsimin sot e në vijim të pronës së të gjithëve“, ata shprehin mbështetje për të paditë e ngritura nga presidenti Meta.
“Në pamundësi për të qenë të pranishëm në seancën gjyqësore ku do të shqyrtohen dy paditë institucionit të Presidentit të Republikës për Teatrin Kombëtar, ne japim mbështetje të plotë për to,” shkruhet në letër.
Grupimi “Ne jemi Teatri”, pjesë e rezistencës disavjeçare për mbrojtjen nga shembja të Teatrit Kombëtar, përbëhet nga qytetar, aktivist e profesionist të fushave të ndryshme.