Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar sot në Prishtinë se mirëpret zbatimin e marrëveshjes së 2013 nga autoritetet kosovare, që Forcat e Sigurisë së Kosovës të mos kalojë në pjesën veriore të vendit pa leje paraprake të KFOR dhe komandës së NATO-s.
Stoltenberg i bëri këto deklarata nga aeroporti ushtarak i Prishtinës pas takimeve me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Dy drejtuesit e Kosovës i kanë kërkuar Stoltenberg anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe transformimin e FSK-së në ushtri, sipas dy njoftimeve të lëshuara nga zyrtat përkatëse.
Stoltenberg tha se mbështet mandatin aktual të FSK-së ndërsa sa i përket NATO-s ai theksoi se anëtarësimi kërkon konsensusin e të 30 aleatëve, 4 prej të cilëve ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
“Prandaj mendoj se gjëja më e rëndësishme për Kosovën është të përqëndrohet në vazhdimin e reformave”, tha Stoltenberg.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s nënvizoi edhe përgjegjësinë që ka Kosova për të zbatuar marrëveshjen e 2013 lidhur me mandatin e FSK-së në veri të vendit.
“E mirëpres që autoritetet e Kosovës vazhdojnë të mbështesin marrëveshjen e arritur në vitin 2013 që FSK të mos kalojë në pjesën veriore pa leje paraprake të KFOR dhe komandës së NATO-s, dhe kjo tregon ndjeshmërinë dhe sfidat dhe mendoj që kjo është zgjidhja e duhur për të shmangur ndonjë situatë që mund ta minojë dhe dobësojë përpjekjet për të ardhur deri te një zgjidhje politike dhe shmang minimin e procesit të dialogut Prishtinë-Beograd”, tha ai.
Stolttenberg tha gjithashtu se KFOR-i do të vazhdojë misionin e tij në Kosovë.