SHBA-të janë “më afër se kurrë për të deklaruar pavarësinë nga virusi vdekjeprurës”, u shpreh Presidenti Joe Biden në fjalimin e tij për festën e pavarësisë të dielën.
“Këtë vit, 4 korriku është një ditë kremtimi e veçantë. Sepse po dalim nga errësira. Një vit pandemi dhe izolim”, tha Biden përpara 1000 punonjësve të shëndetësisë dhe familjeve të ushtarakëve.
“Një vit dhimbjeje, frike dhe humbje. Thjesht mendoni ku ishim një vit më parë. Dhe mendoni se sa larg kemi arritur”, shtoi presidenti amerikan.
Biden vuri në dukje se “beteja kundër COVID-19” nuk ka mbaruar. “Ne kemi shumë punë për të bërë,” shtoi ai.
Administrata e Biden duket se është larg qëllimit për vaksinimin e 70% të të rriturve amerikanë me të paktën një dozë deri më 4 korrik.
Shifrat e institutit shëndetësor të publikuara të premten treguan se rreth 67% e popullsisë së rritur kishin marrë të paktën një dozë të vaksinës, ndërsa rreth 47% kanë marrë dy.