Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, ka kundërshtuar rezolutën e miratuar të mërkurën nga Kuvendi i Kosovës për gjenocidin në Srebrenicë pasi sipas tyre ajo ka për qëllim të dëmtojë shtetin dhe popullin serb.
Deputetët e Listës Serbe u larguan nga salla e Kuvendit gjatë votimit të rezolutës që dënon gjenocidin në Srebrenicë në vitin 1995.
Sipas tyre, kjo rezolutë nuk ka bazë dhe synon të sulmojë “popullin serb, shtetin serb dhe kërcënon marrëdhëniet ndëretnike”.
Në deklaratën e Listës Serbe thuhet se rezoluta “nuk përmend me asnjë fjalë krimet ndaj serbëve në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci ose Kosovë “.
Në korrik të vitit 1995, ushtria e Serbisë në Bosnje, nën komandën e gjeneralit Ratko Mlladiç vrau mbi 8 mijë burra dhe djem në Srebrenicë, duke kryer kështu një nga masakrat më të mëdha në Europë pas Luftës së Dytë Botërore.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka konstatuar në vitin 2007 se vrasjet në Srebrenicë kanë përbërë gjenocid.
Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë miratuar gjithashtu rezoluta që dënojnë gjenocidin në Srebrenicë.
Kuvendi në Serbi është duke shqyrtuar dy rezoluta në lidhje me Srebrenicën. Në njërën kërkohet që Srebrenica të dënohet si krim, kurse tjetra si gjenocid.
Shqipëria ende nuk ka miratuar rezolutë lidhur me gjenocidin e Srebrenicës.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç është shprehur se e priste votimin e rezolutës nga Kuvendi i Kosovës por se ishte befasuar nga Mali i Zi, raporton REL.