Politika përsëri në normalitetin e saj: pushteti mashtron, opozita deliron

Nga Exit News
Politika përsëri në normalitetin e saj: pushteti mashtron, opozita deliron

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka zhvilluar, mbrëmjen e të martës më 6 korrik, një aktivitet prezantues për shpalljen e Tiranës kryeqyteti i rinisë, ku ka mbajtur një fjalë të gjatë.

Në aktivitet—i cili u zhvillua në amfiteatrin e Universitetit të Arteve, në Sheshin Nënë Tereza—morën pjësë qindra persona, përfshi gazetarë, qeveritarë, diplomatë dhe të rinj nga vende të ndryshme të botës.

Pavarësisht kësaj audience, Veliaj ka gënjyer për orarin e zhvillimit të aktivitetit. Ai e ka shfaqur atë rreth 18 orë më vonë, në mesditën e të mërkurës së 7 korrikut, në faqen e tij në Facebook, sikur të ishte transmetim i drejtpërdrejtë.

Disa kanale televizione janë bërë pjesë e gënjeshtrës duke e transmetuar, në të njëjtën kohë si Veliaj, aktivitetin e duke ja paraqitur publikut si transmetim të drejtpërdrejtë.

Por ky mashtrim i publikut nga Veliaj u shfrytëzua nga PD për të mashtruar vetveten.

Në fjalën e tij të martën, Veliaj kishte falenderuar ambasadorët e pranishëm në aktivitet, duke justifikuar mungesën e ambasadorit të BE-së Luigi Soreca, me pohimin se ai ishte pa qejf nga ana shëndetësore.

Për shkak se aktiviteti u transmetua gjoja si i drejtpërdrejtë të mërkurën, ata që e dëgjuan Veliajn kanë menduar se Soreca ishte i sëmurë të mërkurën. Por Soreca ishte mirë këtë ditë dhe mori pjesë në një takim me kryedemokratin Basha.

Kaq ka mjaftuar që zyra e propagandës së PD-së të ndërmarrë menjëherë një minifushatë propagande për të “argumentuar” se Soreca kishte gënjyer dhe braktisur Veliajn për t’u takuar me Bashën.

PD sponsorizoi artikuj dhe prodhoi e qarkulloi në rrjetet e mbështetësve të saj një video-montazh të fjalëve të Veliajt për sëmundjen e Sorecës dhe fotove të Sorecës në takimin me Bashën.

Nuk dihet nëse mbështetësit e saj e besojnë këtë pretendim të pavërtetë, por PD ka kohë që, mungesën e marrëdhënieve të mira me komunitetin ndërkombëtar, përpiqet ta mbulojë apo “kompensojë” me autosugjestionime realitetesh të rreme.

Para rreth një viti, mjaftoi një shprehje e ambasadores amerikane se ajo kishte biseduar me Bashën “për të ardhmen”, që PD të konsumohej në një përpjekje të ethshme memesh, komentesh e artikujsh në portale për të ‘argumentuar” se thënia ishte shprehje e faktit se Amerika kishte vendosur që e ardhmja ishte Basha, ndërsa Rama tashmë i përkiste të shkuarës.

Disa muaj më vonë, një shprehje e nxjerrë jashtë kontekstit, po nga ambasadorja amerikane, në lidhje me të drejtën e shqiptarëve për të votuar ndryshimin, u interpretua nga PD-së si thirrje për të votuar PD-në. Njësoj si në rastet e tjera, ekipi i komunikimit të PD-së sponsorizoi një fushatë memeshesh, komentesh në rrjetet sociale dhe artikujsh mbi “mesazhin” e ambasadores pro PD-së.

Aq shumë e teproi, propaganda e PD-së në ketë rast, sa ambasadorja u detyrua të bënte menjëherë një sqarim përgënjeshtrues.

Kjo javë duket se e ka kthyer këtë realitet të zakonshëm politik të vendit: pushteti kridhet në propagandë mashtruese, opozita kridhet në propagandë vetëmashtruese.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>