Procesi i integrimit në Bashkimin Europian po bëhet gjithnjë e më i paparashikueshëm dhe i padrejtë, ka deklaruar kryeministri Rama në një konferecë të organizuar nga “The Economist” në Athinë ku ai mori pjesë virtualisht.
Rama tha se procesi nga “ngecur” dhe krahasoi përparimin e rajonit drejt BE-së me luftën e Trojës dhe kthimin e Odisesë në Itakë.
“Ka një ndryshim, Odiseja ja doli të shpëtojë ndërsa ne jo”, tha Rama duke iu referuar vendimit të Këshillit për mos hapjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut si pasojë e vetos së Bullgarisë.
Kryeministri theksoi se “gjërat kanë ndryshuar në drejtimin e gabuar për Ballkanin Perëndimor” duke nënvizuar se rajoni është peng i nacionalizmave brenda disa vendeve të Bashkimit Europian.
Megjithatë, integrimi drejt BE është e vetmja zgjidhje për rajonin deklaroi Rama.
Ai tha se vendet duhet të “shtyjnë përpara” duke implementuar reformat dhe se në rastin e Shqipërisë kjo nuk po bëhet se kërkohet nga Brukseli por për të ardhmen e gjeneratave të reja.