Policia ka arrestuar Barjon Gumenin, një nga pronarët e kompanisë “Alba Exotic Fruit” në konteinerët e së cilës të martën u sekuestruan 14 pako kokainë që vinte nga Ekuadori.
Sipas të dhënave të kompanisë në QKB, Barjon Gumeni është pronar i 10% të aksioneve të saj ndërsa pjesa tjetër është në pronësi të Eduart Dautit i cili rezulton edhe administrator i kompanisë.
Bajron Gumeni është vëlla nga njëri prind me Eduard Dautin. Policia ka arrestuar më herët edhe jursitin e kompanisë por më pas e ka lënë të lirë.
Të martën policia sekuestroi 11.6 kg kokainë të ndarë në 14 pako brenda konteinerit që transportonte banane nga Ekuadori.
Konteineri ndodhej prej dy ditësh në Portin e Durrësit dhe ishte vënë në survejim nga policia e cila ndërhyri pasi një person u shfaq për ta tërhequr atë.
Ky është operacioni i 4 që prej prillit, ku u kapen sasi të mëdha droge në portin e Durresit. E fundit ishte ngarkesa me 200 kilogramë kokainë, e cila u dërgua për në Kosovë.
Kompania “Alba Exotic Fruit”, ka qënë e përfshirë edhe në transportin e 137 kilogramëve kokainë, të kapur fillimisht në Portin e Pireut në 2019.