Pronari i kompanisë së bananeve Alba Exotic Fruit Eduart Dauti në kontenierët e të cilës u kapën të martën 11 kilogramë kokainë e ardhur nga Ekuadorit, fajësoi autoritetet portuale të Pireut dhe Durrësit për drogën në kontenierin e tij.
Në një intervistë për Ballkanweb, nga jashtë vendit, Dauti tregoi se kontenieri kontrollohet në skaner, dhe ai mban përgjegjësi për kontenierin pasi kalon kontrollin.
Dauti theksoi se autoritetet duhet të gjejnë se kush e ka porositur drogën dhe jo të bëjnë gjënë më të lehtë ‘të arrestojnë biznesin”.
Më poshtë po sjellim pjesë nga intervista e Dautit:
Unë si tregtar importoj vetëm fruta. Çfarë ndodh jashtë nuk kam asnjë lloj përgjegjësie. Aty kanë të bëjnë autoritetet gisht.
Përgjegjësia ime është vetëm pas skanerit. Pasi kalon në skaner, mua më jepet konfirmimi për ta marrë. Asgjë nuk vjen te ne pa kaluar më parë në skaner dhe ne të gjithë e dimë se po kalove në skaner, je i zënë. Kush e rrezikon veten e vet për 10 kg drogë.
Nuk kam asnjë lloj aksesi në Portin e Durrësit, për të kontrolluar kontejnerët. Kanë vetëm autoritetet portuale akses aty.
Edhe sa vite jetë kam unë, që të rrezikoj jetën time, duke e ditur që në skaner unë jam i mbërthyer. Edhe nëse një banane të vjen mangët, skaneri ta kupton dhe ta nxjerr me të kuqe.
Është shumë e thjeshtë për ta kuptuar këtë situatë. Ka kriminelë në portin e hyrjes dhe të zbritjes, se janë në Portin e Durrësit apo të Pireut, këtë nuk e them dot, nuk kam fuqi ta hetoj.
E kanë të lehtë t’i vënë prangat direkt biznesit, por të inkriminuarit janë vetë ata të Portit, vetëm ata kanë akses.
Unë e kam biznesin të suksesshëm, është fitimprurës, dhe jam i lumtur për këtë. Pse duhet të rrezikoj jetën tim dhe sot po fshihem si miu.
Nëse ka drejtësi dhe gjykohet saktë, të bëhet një hetim dhe të shihet kush e sjell drogën, kush e importon.
Unë nuk jam as importues, as shitës, as blerës. Nuk kam lidhje fare me këto gjëra. Nëse jam unë përgjegjës, 7 pashë nën dhe të më fusin.
Unë ndodhem në Francë me familjen time, kam ardhur për ditëlindjen e vajës. Erdha për të festuar 10-vjetorin e vajzës dhe më ngeli në fyt. Sot kisha biletën e kthimit dhe nuk erdha nga frika se do më vinin prangat.
Policia gjeti të martë 11 kilogramë kokainë të fshehur në kontenierët e bananeve. Ajo arrestoi administratorin e kompanisë dhe shpalli në kërkim pronarin e kompanisë.