Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili shkarkoi nga detyra gjyqtaren e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër, Valbona Seknaj (Durraj).
Gjyqtarja Seknaj u shkarkua nga KPK në korrik 2019 pasi u vlerësua se ka kryer deklarim të pasaktë, të pamjaftueshëm e të rremë të pasurive.
Seknaj ankimoi vendimin në shkallën e dytë të vetingut por trupa gjyqtarëve të KPA vendosi ta lërë atë në fuqi.
Valbona Seknaj(Durraj) e ka nisur karrierën në sistemin shqiptar të drejtësisë në vitin 1998. Për më shumë se një dekadë, ajo ka punuar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Shkodrës, ndërkohë që në vitin 2013 u dekretua gjyqtare në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Shkodër, ku mbajti edhe pozicionin e kryetares.