Komisioni Evropian deklaroi të martën se BE-ja ishte afër arritjes së qëllimit mbi vaksinimin e plotë të 70% të popullsisë së rritur deri në fund të verës.
Komenti u bë nga Komisionerja e Shëndetit të BE-së, Stella Kyriakides e cila sqaroi se aktualisht se po kaq është përqindja e personave të rritur që kanë marrë dozën e parë, ndërsa 57% e tyre janë plotësisht të vaksinuar.
“Projeksionet tregojnë se BE-ja do të arrijë qëllimin e saj deri në fund të verës”, u shpreh Kyriakides.
Fushata e vaksinave të BE-së filloi ngadalë, krahasuar me Britaninë dhe Shtetet e Bashkuara, për shkak të vonesave në furnizimin me vaksina, që çoi edhe në një përplasje ligjore mes Komisionit dhe kompanisë AstraZeneca. Megjithatë, Blloku e mori veten në tremujorin e dytë të vitit.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se BE-ja tashmë renditej mes vendeve të para në botë për vaksinimin.
“Procesi i përparimit ka qenë shumë i suksesshëm – por ne duhet të vazhdojmë përpjekjet,” citohet ajo në një raportim të Reuters.
Von der Leyen bëri apel për vijimin e vaksinimit, për shkak të përhapjes që po merr varianti shumë i ngjitshëm Delta.
“Varianti delta është shumë i rrezikshëm. Prandaj i bëj thirrje të gjithëve – që kanë mundësi – të vaksinohen. Për shëndetin e tyre dhe për të mbrojtur të tjerët,” shtoi ajo.