Presidenti Meta ka denoncuar se zjarrvënia e vilës ‘Sarajet’ të martën ka për qëllim t’i hapë rrugë ndërtimit të kullave në truallin ku ajo ndodhet.
Sipas Metës zjarrëvenia e qëllimshme e një monumenti kulture është krim që duhet të hetohet nga SPAK.
Presidenti tregon se pak ditë më parë një zjarr i qëllimshëm ka rënë në kurorën e gjelbër në “Pallatin e Brigadave”, ku sipas tij është planifikuar të ndërtohet një kompleks kullash.
“Babëzia e shfrenuar e betonit në Tiranë ka shkatërruar shumë monumente historike, tradicionale, kulturore dhe objekte të rëndësisë së veçantë, ndërkohë edhe ato pak të mbetura rrezikohen të zhduken përgjithmonë” shkruan Meta.
Në orët e para të së martës, i është vënë zjarri nga persona të paidentifikuar vilës Sarajet, në rrugën Abdi Toptani, në pjesën para Qendrës Toptani, përballë Hotel Plaza.
Vilës Sarajet në kryeqytet, monument kulture i mbrojtur, i vunë zjarrin orët e para të mëngjesit të mërkurës por ajo rezistoi pa u shembur.
Djegia ndodh në një moment kur vila është në proces shpronësimi me justifikimin se do të kthehet në muze. Megjithatë ky hap vetëm do t’i hapë rrugë ndërtimit në atë truall.