Talebanët akuzojnë SHBA-të për viktima civilësh në operacionin kundër ISIS-K

Nga Exit News
Talebanët akuzojnë SHBA-të për viktima civilësh në operacionin kundër ISIS-K

Talebanët akuzuan të hënën Shtetet e Bashkuara se kanë shkaktuar viktima mes civilëve në operacionin e një ditë më parë kundër grupimit terrorist ISIS-K.

Të dielën, SHBA-të goditën me dron një automjet mbushur me eksploziv, drejtuar nga një milirant i ISIS-K, i cili dyshohet se synonte të kryente një sulm terrorist në aeroportin e Kabulit.

Zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid dënoi sulmin e SHBA-ve si të paligjshëm dhe deklaroi për televizionin shtetëror kinez, CGTN se gjatë tij u vranë shtatë persona të pafajshëm.

“Nëse do të kishte ndonjë kërcënim të mundshëm në Afganistan, duhet të na ishte raportuar, jo një sulm arbitrar që ka rezultuar në viktima civile,” citohet Mujahid në një raportim të Reuters.

Komanda Qëndrore amerikane nuk e mohoi se mund të ketë patur viktima gjatë sulmit neutralizues. Ajo deklaroi se po zhvillon hetime, por shtoi se viktimat erdhën si pasojë e shpërthimit të eksplozivit.

“Dijmë se pati shpërthime të konsiderueshme dhe të fuqishme të mëvonshme që rezultuan nga shkatërrimi i automjetit, tregues i sasisë së madhe të materialit shpërthyes brenda, që mund të ketë shkaktuar viktima shtesë,” pohoi ajo në një deklaratë.

Më herët, talebanët dënuan edhe operacionin e parë të SHBA-ve kundër planifikuesve të sulmeve të së enjtes së shkuar në aeroportin e Kabulit, që shkakuan qindra të vdekur.

Ndërkohë, evakuimet nga kryeqyteti i Afganistanit, Kabuli kanë hyrë në fazën përfundimtare.

31 gushti përbën afatin e fundit për evakuimin e ushtarëve të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve, vendim i marr nga presidenti amerikan, Joe Biden.

Me ikjen e tyre, talebanët pritet të shpallin këtë javë qeverinë e re.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>