Vendet e BE kërkojnë parandalimin e një krize të re refugjatësh nga Afganistani

Nga Exit News
Vendet e BE kërkojnë parandalimin e një krize të re refugjatësh nga Afganistani

Shtetet e Bashkimit Evropian janë të vendosur të parandalojnë emigrimin e pakontrolluar nga Afganistani pas marrjes së vendit nga talebanët, thotë një draft deklaratë e përgatitur për një takim të martën.

Qeveritë e BE-së kërkojnë të shmangin përsëritjen e fluksit kaotik të refugjatëve në vitin 2015, i cili i gjeti të papërgatitur dhe nxiti mbështetje për partitë e ekstremit të djathtë.

“Bazuar në mësimet e nxjerra, BE dhe shtetet anëtare të saj janë të vendosur të veprojnë së bashku për të parandaluar përsëritjen e lëvizjeve të pakontrolluara të migrimit të paligjshëm në shkallë të gjerë të hasur në të kaluarën, duke përgatitur një përgjigje të koordinuar dhe të rregullt,” do të thonë ministrat e brendshëm në takim , sipas draft deklaratës së parë nga Reuters.

Ky qëndrim vjen pasi agjencia e OKB-së për refugjatët, UNHCR paralajmëroi se deri në gjysmë milioni afganë mund të largoheshin nga atdheu i tyre deri në fund të vitit.

Mijëra afganë janë evakuuar në një operacion masiv të ndërmarrë nga forcat perëndimore pasi talebanët morën nën kontroll Kabulin në 15 gusht. Por me përfundimin e operacionit, shumë prej tyre janë lënë prapa në një fat të pasigurt nën sundimin e grupit islamik.

UNHCR apeloi për mbështetje, duke thënë se “një krizë më e madhe sapo fillon” për 39 milionë njerëzit e Afganistanit.

Filippo Grandi, Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, përsëriti një thirrje që kufijtë të mbeten të hapur dhe që më shumë vende të ndajnë përgjegjësinë me Iranin dhe Pakistanin, të cilët tashmë presin 2.2 milionë afganë.

Në takimin urgjent të së martës në Bruksel, ministrat e BE-së do të përsërisin premtimin e bllokut për të dhënë më shumë para për Afganistanin dhe vendet përreth, edhe pse shpërndarja e ndihmës është bërë më e ndërlikuar që kur talebanët morën kontrollin, thanë zyrtarët e BE -së.

Megjithëse Turqia ndihmoi në frenimin e krizës së vitit 2015 me fondet e BE-së duke strehuar miliona refugjatë sirianë, Ankaraja është më pak e gatshme të presë shumë afganë për shkak të krizë që solli pandemia e COVID-19 dhe një rënies ekonomike që po përjeton vendi.

Ministrat gjithashtu do të zotohen të ndalojnë kërcënimet e reja të sigurisë nga Afganistani për qytetarët e BE-së, thuhet në draft. Ai nuk përmban detaje specifike të masave të reja.

Më vete, shefi i politikës së jashtme të BE Josep Borrell tha se ai ishte në favor të krijimit të një force ushtarake të reagimit të shpejtë për të ndërhyrë në krizat e ardhshme dhe për të ndihmuar në stabilizimin e demokracive të brishta jashtë territoreve të BE-së.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>