Talibanët kanë pranuar të lejojnë evakuimin e rreth 200 shtetas amerikanë përmes aeroportit të Kabulit, citoi Reuters një zyrtar amerikan.
Ky zyrtar tha se militantët islamikë u detyruan të lejojnë largimin e këtyre personave pas presionit të Përfaqësuesit të Posaçëm të Shteteve të Bashkuara, Zalmay Khalilzad.
Më 7 shtator, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se talibanët u kishin thënë Shteteve të Bashkuara se “ata do t’i lejojnë njerëzit me dokumente udhëtimi të largohen lirshëm”.
Shtetet e Bashkuara përfunduan tërheqjen e tyre ushtarake nga Afganistani një javë më parë, pas marrjes së shpejtë të kontrollit të vendit nga ana e talibanëve.
Përpara tërheqjes, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO -s evakuuan dhjetëra mijëra të huaj dhe afganë që ishin në rrezik nga hakmarrja e talibanëve.
Megjithatë, u njoftua se më shumë se 100 amerikanë kanë mbetur në vend, së bashku me dhjetëra mijëra afganë të tjerë që mendohet se duan të largohen nga Afganistani.
Në muajin maj të vitit 2021 filloi tërheqja e forcave të huaja pas 20 vjetësh të prezencës në këtë vend. Talibanët e morën shpejt kontrollin e vendit. Ata tashmë kanë prezantuar një kabinet qeveritar të udhëhequr nga grupi militant.
Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.
Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet terroriste të 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkuara.
Luftimet prej vitit 2001 kanë rezultuar me kosto të madhe njerëzore: 2,455 ushtarë amerikanë, rreth 66,000 trupa afgane, më shumë se 47,000 civilë të vrarë.
Kombet e Bashkuara kanë thënë se Afganistani është në mesin e vendeve “më të përgjakshme në botë për civilët”.
Artikull i botuar në REL.