Kryeministri Edi Rama, i pyetur për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar i PD-së, u përgjigj me lojra fjalësh duke thënë se PS do të shpenzonte më shumë energji për njerëzit e më pak për politikën si “një pronë e politikanëve” që e kanë abuzuar për interesat e tyre.
“Unë do të angazhohem personalisht dhe PS do të bëjë përpjekjet që të kemi sa më shumë energji të shpenzuara për njerëzit, për problemet e tyre reale… sa më pak energji për atë që politika ka bërë fatkeqësisht në këto vite duke u bërë një pronë e politikanëve, të cilët e kanë abuzuar vijimisht për qëllime, interesa, për ambicie …,” u shpreh Rama pas zhvillimit të seancës së parë parlamentare të legjislaturës së re.
Ai njëkohësisht përsëriti ofertën për bashkëpunim me PD-në për të mirën e vendit.
“Ne vijmë në këtë Kuvend për mandatin tonë të tretë me dorën e shtrirë, pa marrë parasysh si do shkonin zhvillimet brenda PD, dhe dora është e shtrirë për të bashkëpunuar në funksion të njerëzve e të vendit,” pohoi Rama teksa iu përgjigj akuzave për pazare politike.
Në dukje deklaratat shënjestrojnë pikërisht Berishën, nga njëra anë për këmbënguljen për të mos u larguar nga politika aktive dhe për shkak se, pak më herët, ai e quajti vendimin e përjashtimit të tij nga grupi parlamentar si “nul” dhe fryt i një pakti Rama- Basha.