Kuvendi do të mblidhet të hënën në orën 17:00 për të zgjedhur organet e përhershme, byroja, sekretariatet dhe kryetarët e komisioneve parlamentare.
Partia Socialiste ka caktuar 5 drejtuesit e komisioneve që ajo do të drejtojë ndërsa Partia Demokratike do të kryesojë 3 komisione të përhershme.
Kryetare e Komisionit të Ligjeve është caktuar Klotilda Bushka, ish-anëtare e këtij Komisioni, që drejtohej nga Ulsi Manja, i propozuar për ministër Drejtësie.
Nasip Naço është përsëri pjesë e Komisionit të Sigurisë dhe kësaj radhe do ta kryesojë atë.
Mimi Kodheli është rikonfirmuar në krye të Komisionit të Jashtëm pasi e drejtoi atë edhe në legjislaturën e kaluar.
Kryetar i Komisionit te Veprimtarisë Prodhuese u zgjodh Arben Pëllumbi duke zëvendësuar kështu Eduart Shalsin i cili është caktuar në krye të Komisionit të Ekonomisë duke zëvendësuar Erion Braçen.
Nga opozita, Jorida Tabaku është zgjedhur në krye të Komisionit të Integrimit Europian, Albana Vokshi do të drejtojë komisionin e shëndetësisë dhe Agron Gjekmarkaj atë të medias.
Po ashtu, në seancën e sotme do të miratohet edhe ndarja e deputetëve në komisionet parlamentare duke i hapur rrugë nisjes nga puna në komisionet parlamentare të drafteve që pritet të vijnë nga qeveria apo nismat deputetësh.
Në seancën e sotme do të miratohen edhe dy nënkryetarët e Kuvendit, Ermonela Felaj e propozuar nga PS dhe Enkeled Alibeaj nga PD.