117 shtetas afganë do të largohen nga Kosova për në Britaninë e Madhe, njoftoi Radio Evropa e Lirë nga burimet brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ky grup që po largohet, deri më tani ishte strehuar në kampin Bechtel-Enka në Ferizaj. Në këtë kamp ishin të strehuar shtetas që kanë punuar me forcat e NATO-s në Afganistan.
Në Kosovë deri më sot kanë arritur 971 refugjatë afganë.
Në kampin Bechtel-Eenka në Ferizaj u vendosën rreth 810 refugjatë, kurse 161 në kampin amerikan Bondsteel, po ashtu në Ferizaj.
Më herët, autoritetet kosovare kanë bërë të ditur se do të strehojnë rreth 2000 shtetas afganë, të cilët kanë punuar me Shtetet e Bashkuara dhe me shtetet anëtare të NATO-s.
Sipas ligjeve në fuqi, Kosova u ka dhënë qëndrim të përkohshëm deri në një vit.
Në dallim nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ku afganët mund të lëvizin lirshem jashtë hapësirave ku ata janë të vendosur, për afganët që strehohen në Kosovë ka masa më të rrepta të sigurisë.