Escobar: Anëtarësimi i Ballkanit në BE procesi më i ngadaltë ndonjëherë

Nga Exit News
Escobar: Anëtarësimi i Ballkanit në BE procesi më i ngadaltë ndonjëherë

Zëvendësndihmës Sekretari për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tha se Shtetet e Bashkuara kanë besim se do të arrihet dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai u shpreh se  te dyja vendet do të “arrijnë një zgjidhjeje”.

Escobar theksoi se çështja e personave të pagjetur kërkon zgjidhje të menjëhershme:

“Tema më urgjente (që do të lëvizte gjërat përpara në dialog) është çështja e personave të pagjetur. Kjo është një temë humanitare që nuk duhet të bllokohet për shkak të mosmarrëveshjeve politike. Ka familje që po presin me vite për të kuptuar se çka ka ndodhur me më të dashurit të tyre. Unë thjesht nuk e kuptoj pse për këtë çështje nuk mund të ketë kompromis”.

Ai tha se ka edhe një sërë çështjesh të vogla të zgjidhshme menjëherë si “çështja e targave të veturave. Është edhe çështja për energjinë në veri të Kosovës”.

Escobar shtoi se politika e SHBA-së në Ballkan ka qenë mjaft e qëndrueshme. Uashingtoni, sipas tij, do që shtetet e këtij rajoni të bëhen pjesë e vendeve perëndimore. Dhe mekanizmi për ta arritur këtë qëllim, sipas tij, është anëtarësimi në BE.

Megjithatë, ai u shpreh kritik për procesin e zgjerimit të bllokut evropian.

“Ne do të donim të shihnim një integrim më të shpejtë sesa një më të ngadaltë. Është pak zhgënjyese të shohësh se – kam shërbyer në Ballkan (dhe) jam larguar më 2001 – të kthehem 20 vjet më vonë dhe të shoh se nuk ka pasur shumë përparim në atë drejtim. Ky ka qenë një nga proceset më të ngadalta të zgjerimit ndonjëherë. Kur e mendoni se sa shpejt e kanë arritur këtë vendet e tjera në rajon. Ne do të donim ta shihnim atë lloj dinamizmi”.

Duke folur për ndikimin që ka Rusia në Serbi, Escobar tha se Rusia nuk po bën investime në Serbi:

“Ky është një mit. Rusia nuk jep ndihmë humanitare. Nuk është në të vërtetë një partnere tregtare. Nëse shikoni dhjetë partnerët tregtarë kryesorë të Serbisë, Rusia nuk është në mesin e tyre”.

Derisa për lidhjen e Serbisë me Kinën Escobar tha se nuk është vetëm financimi që i jep Kinës avantazh.

“Ka çështje të mungesës së transparencës që pengojnë aftësitë e kompanive tona (amerikane) për të marrë pjesë në mënyrë të drejtë në ekonominë e Serbisë. Dhe unë jam i bindur që nëse i jepet një mundësi e drejtë, kompanitë tona mund të garojnë më shumë se ato të Kinës”.

Ndërsa për bllokimin e negociatave për mosmarrëveshjet ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, Escobar u shpreh se:

Nuk mund të mos i llogarisë shqetësimet e një minoriteti në Evropë. Por, kjo është një çështje bilaterale, dhe ata po e shndërrojnë në një çështje shumëpalëshe që na prekë të gjithëve. Ka zgjidhje kompromisi dhe ne i inkurajojmë ata që të shikojnë në mënyrë strategjike dhe konstruktive se si ta zgjidhim këtë. Ka mënyra të tjera për ta adresuar këtë përveç bllokimit të integrimit të tyre në Bashkimin Evropian”.

Gabriel Escobar ka marrë postin e Zëvendësndihmës Sekretarit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë në fillim të shtatorit. Ai në këtë post e pason Matthew Palmerin.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>