Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka bërë thirrje Serbisë të ndalojë protestat dhe të zbatojë vendimin e Kosovës për reciprocitet të targave të makinave.
Ajo u shpreh në një postim në Facebook, të hënën se vendimi për reciprocitet në target e automjeteve me Serbinë është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit.
Reagimi i saj erdhi pasi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç akuzoi Prishtinën për shkelje të marrëveshjeve dhe paralajmëroi diskutimin e masave ekonomike dhe politike ndaj Kosovës.
“Asnjë lloj kërcënimi nga Serbia nuk e ndalon vendosmërinë tonë për të jetësuar zbatimin e ligjit, në përputhje me obligimet tona ndërkombëtare, për të mirën e të gjithë qytetarëve të Republikës, pa dallim etnie”, shkroi Osmani.
Autoritetet në Kosovë më 20 shtator vendosën reciprocitetit për targat e automjeteve, makinat serbe që hyjnë në Kosovë duhet të pajisen me targë provizore kosovare. Vendimi u morr një javë pasi Serbia e vendosi këtë këerkesë për kosovarët.
Por, serbët janë grumbulluar në afërsi të pikave kufitare në veri të Kosovës, duke bllokuar rrugët në shenjë pakënaqësie.
Bashkimin Evropian i ka bërë thirrje të dy vendeve të ulin tensionet dhe të zgjidhin çështjen.
Më herët presidenti Vuçiç në një adresim kombit e përshkroi situatën në Kosovë si “një nga ditët më të vështira për popullin serb në Kosovë”.
“Shpresoj se nuk do të na duhet të marrim masat tona, si ekonomike ashtu edhe politike, sepse kjo nuk do të ishte mirë për të gjithë rajonin, veçanërisht për marrëdhëniet tona me Prishtinën”, tha Vuçiç, derisa porositi serbët të mos bien pre e provokimeve, të protestojnë në paqe dhe pa incidente, sipas REL.
Sipas Marrëveshjessë Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të gjithë pronarët e veturave kosovare, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) duke mos përdorur më targat provizore të lëshuara nga Serbia.