Kërkesa e Lulzim Bashës për ndryshime kushtetuese është pjesë e marrëveshjes së tij me Edi Ramën, sipas Sali Berishës i cili akuzoi kreun e PD se komunikon me kode me kryeministrin.
Në mbledhjen me anëtarë të PD në Fier, Berisha komentoi zotimin e Bashës për të ndryshuar Kushtetutën pas rikthimit në Kuvend.
Sipas Berishës ky zotim vjen pas një marrëveshjeje Basha – Rama sepse opozita nuk i ka votat në Kuvend për të ndryshuar Kushtetutën ndërkohë nga ana tjetër kryeministri krijoi grupin për ndryshimin e kushtetutës.
“Pra kjo është gjuhë kodi, thuaje ti që të ndjek unë se është e imja”, tha Berisha.
Berisha akuzoi gjithashtu kreun e PD-së se u “joshë” nga Rama pas thirrjeve për bashkëqeverisje dhe ka bashkëpunuar me të për të luftuar LSI-në në fushatën zgjedhore në prill.
Ai u shpreh se Rama i ka futur ‘thiken’ PD-së përmes “pengut” të tij Lulzim Basha:
“Sot, duke marrë peng kreun e opozitës, Edi Rama i futi një thikë mbas shpine PD me dorën e pengut të tij, Lulzim Basha”.