Ambasadorja amerikane, Yuri Kim vizitoi të premten pasdite, siç ishte paralajmëruar, selinë e Partisë Demokratike.
Në një prononcim për gazetarët, pas takimit me kreun e PD-së Lulzim Basha, Kim deklaroi se PD-ja kishte mbështetjen e Uashintonit.
“Ndava me kryetarin Basha që Uashingtoni mbetet i angazhuar për të vazhduar dhe për të punuar më ngushtësisht me PD,” tha ambasadorja Kim.
Ajo ofroi mbështjetje për kreun e PD-së, Lulzim Basha në përballjen e brendshme në parti me ish-kryetarin Sali Berisha.
“E kuptojmë fare mirë që PD ndodhet në një pozitë të vështirë, proces tranzicioni, por shpresojmë se do të dalë me të fortë dhe më e bashkuar, që të kthehet dhe të fitojë përsëri zgjedhjet,” u shpreh Kim.
Ajo rikonfirmoi se SHBA-ja ishte e dedikuar në luftën kundër korrupsionit “pavarësisht rangut, nivelit, apo partisë”.
Kim i quajti “shqetësuesë” zëra se veprimet e saj përbëjnë shkelje të sovranitetit të vendit.
Ajo evokoi historinë për të treguar se SHBA-të kanë ndihmuar në ruajten e sovranitetit, jo në shkeljen e tij.
“Do i kujtoj të gjithëve se në fakt se në 6 maj 1920 kur e gjithë bota donte që Shqipëria të shuhej nga faqja e dheut, presidenti Willson nuk pranoi” u shpreh Kim.
Ajo konfirmoi se PD-ja do të qëndrojë në Kuvend dhe do të bëhet pjesë e reformës territoriale e reformave të tjera në Parlament.
“Dhe e gjithë kjo kërkon që të ketë një PD të fortë dhe të bashkuar dhe të bëjë përpara, por nuk mund të bëhet përpara nëse njëra këmbë ka mbetur në të shkuarën,” përfundoi Kim.