Deputetët e PD-së, anëtarë të Komisionit të Ligjeve në Kuvend u përplasën me kryetaren e Komisionit Klotilda Bushka për mënyrën e zhvillimit të mbledhjes, të martën.
Gazmend Bardhi, Oerd Bylykbashi dhe Enkelejd Alibeaj ishin të pranishëm në sallën e Komisionit, pavarësisht se Konferenca e Kryetarve vendosi se mbledhjet do të mbahen online.
Në mëngjes, PD njoftoi median se do të ishte e pranishme në sallat e 4 komisioneve të programuara për sot, pavarësisht këtij vendimi.
Pas përfundimit të mbledhjes, Bylykbashi u shpreh për median se PD-së “iu mohua sot në kundërshtim me kushtetutën, pjesëmarrja në komisionin e ligjeve dhe e drejta e fjalës. Është qartë mënyra për të hequr transparencën e qytetarëve”.
“Nuk do të pranojmë që nëpërmjet këtyre mjeteve, me pretendimin që për arsye të pandemisë nuk zhvillohen mbledhjet fizikisht, ne do të jemi këtu për ta ndaluar këtë”, shtoi Bylykbashi.
Ndërsa, kryetarja e Komisionit i kërkoi deputetëve të paraqesin “çdo kundërshti tek mbledhja e kryetarëve”. “Ne nuk vendosim dot praninë hibride në komisione”, u shpreh Bushka.