Negociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi e Petar Petkoviç do të takohen të mërkurën në Bruksel për të diskutuar mbi ngjarjet e fundit në dy pikat e kalimit kufitar.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano e vlerësoi takimin si hapi i parë pozitiv për shtensionim të situatës në pikat kufitare.
“Ata do të shfrytëzojnë platformën e dialogut për të shqyrtuar mundësitë e shtensionimit të situatës, pasi ajo që po ndodh nuk është e mirë për popullin e Kosovës e të Serbisë, por as për të rajonit”, ka thënë Stano.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, të martën u shpreh se negociatorët duhet “të vijnë me mandatin për të folur për të ardhmen dhe për të gjetur zgjidhje afatgjate në interes të qytetarëve”.
Serbët kanë refuzuar propozimin e KFOR-it që ata të sigurojnë pikat kufitare me kushtin që të hiqen barrierat nga rrugët.
Kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri kanë kërkuar të hiqet edhe masa e reciprocitetit. Sot, është dita e dhjetë e bllokimit të pikave kufitare dhe patrullimti të ushtrisë serbe në kufi.