Serbia ka refuzuar të firmosë tekstin e marrëveshjes së arritur një ditë më parë në Bruksel dhe si rrjedhim, negociatat mbi problemin e njohjes së targave me Kosovën do të vijojnë edhe të enjten.
Të mërkurën në mbrëmje shefi i delegacionit të Kosovës për dialog me Serbinë, Besnik Bislimi u kthye në Kosovë dhe pohoi se palët kishin arritur një mirëkuptim, por që ende nuk ishte miratur nga Serbia.
“Kemi arritur te një draft përfundimtar i cili dakorduar pothuajse në tërësi ka mbetur që vetëm që pala serbe të jap dakordimin final, nëse po, mund të fillojë zbatimi i marrëveshjes shumë shpejt”, tha shefi i delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi.
Marrëveshja parashikonte që dy vendet të përdornin “letra ngjitëse” në vend të targave të përkohshme në automjetet respektive.
Burime nga Brukseli i thanë Radios Europa e Lirë se diskutimet do të vazhdojnë të enjten mes delegacioneve dhe se ende nuk ka një marrëveshje, ndonëse ka pasur përparim për çështjen e targave.
Delegacioni serb ka pasur takime me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak deri në orët e vona të mbrëmjes të mërkurën.
Por delegacioni i Serbisë deri të mërkurën vonë nuk e ka pranuar tekstin e marrëveshjes, prandaj pritet që diskutimet të vazhdojnë edhe të enjten.
Ndërkohë, pala kosovare pritetet të jetë prezente në distancë, nëpërmjet lidhjeve online.
Marrëveshja e një dite më parë parashikonte edhe që Kosova do të tërhiqte njësitë speciale të policisë nga pikat kufitare Jarinë dhe Bërnjak, të cilat do të zëvendësoheshin nga KFOR-i, si dhe heqjen e barrikadave nga rrugë nga pala serbe.