Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar i dha të drejtë Kosovës për vendosjen e masës së reciprocitetit për targat.
“Kosova ka të drejtë në reciprocitet dhe kjo ka qenë e ditur. Por, u zumë shumë në befasi me mënyrën e zbatimit. Por, këtë e prisnim që të ndodhë në një moment. Jemi të lumtur që siguruam uljen e tensioneve”, tha ai duke shtuar se duhet gjetur zgjidhje afatgjate për çështjen e targave, sipas REL.
Megjithatë ai përshëndeti marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.
“Dialogu i udhëhequr nga BE-ja është vendi i duhur për të gjetur zgjidhjen dhe falënderoj të dërguarin e Posaçëm të BE-së, (Mirosllav) Lajçak dhe ekipin e tij për punën e madhe që kanë bërë”, tha Escobar gjatë një konference për media në Bruksel më 30 shtator, sipas REL.
I dërguari i DASH-it për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar po ashtu foli edhe për moratoriumin për njohjen e Kosovës dhe ndaljen e fushatës për çnjohjet, që derivon nga Marrëveshja e Uashingtonit të arritur më 4 shtator 2020.
Ai tha se mbajtja e këtij moratoriumi do ta ndihmonte dialogun ndërmjet Kosovën dhe Serbinë.
Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për masën e reciprocitetit për targat e makinave, me ndërmjetësin e BE-së.