BE pritet të ripërsërisë garancinë e anëtarësimit për Ballkanin në samitin e Sllovenisë

Nga Exit News
BE pritet të ripërsërisë garancinë e anëtarësimit për Ballkanin në samitin e Sllovenisë

Ambasadorët e BE tejkaluan ndarjet sa i përket perspektivës së Ballkanit Perëndimor dhe pritet që vendet anëtare të ripërsërisin angazhimin e tyre për anëtarësimin e gjashtë shteteve të rajonit në samitin e Brdo Bijunit në Slloveni të mërkurën.

Burime brenda BE thanë për Reuters se të dërguarit nga 27 shtetet e BE-së arritën një marrëveshje për të “rikonfirmuar … mbështetjen e tyre të qartë për një perspektivë evropiane” për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Dy javë më parë Reuters raportoi se kishte ndarje sa i përket formulimit të deklaratës së përbashkët të vendeve anëtare duke treguar mungesë dëshire për afrimin e Serbisë, Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Maqedonisë e Veriut me unionin.

“Nuk mund të them se gjithçka është mirë,” thotë burimi i Reuters, duke vënë në dukje ngurrimin midis disa shteteve anëtare për të parë zgjerimin e mëtejshëm të bllokut. “Sigurisht që ka shumë çështje, por gjithashtu nuk mund të thuash që dera është e mbyllur.”

Shtetet e BE-së kanë refuzuar të zbulojnë qëndrimet e tyre mbi negociatat për deklaratën e përbashkët të samitit, megjithëse Sllovenia, e cila kryeson BE-në, kërkoi të përfshijë një angazhim që blloku të anëtarësojë të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2030. Ky propozim nuk është pranuar.

Bullgaria është kundër anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut për shkak të një mosmarrëveshjeje gjuhësore, që do të thotë se edhe me miratimin e deklaratës së samitit, diplomatët nuk presin ndonjë përparim së shpejti.

Ndërkaq, kryeministri Rama la të kuptohet gjatë takimit me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, se Shqipëria duhet të vazhdojë para në këtë proces pavarësisht Maqedonisë së Veriut për të mos mbetur “peng” i bllokimit të Bullgarisë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>