Agjencia e Shëndetit Publik të Bashkimit Evropian, ECDC po propozon një rishikim të rregullave të COVID-19 të cilat mund të lehtësojnë udhëtimet për të vaksinuarit dhe të heqin sistemin me ngjyra për zonat me nivele të larta të infeksioneve.
ECDC bëri propozimin e saj jo-detyrues në takimet e specialistëve të shëndetit të BE-së këtë javë, thanë diplomatët e BE-së, pjesë e një diskutimi rreth asaj se si të hapen udhëtimet më tej me rritjen e normave të vaksinimit, raporton Euractive.
BE ka rajone të koduara me ngjyra, nga jeshile në të verdhë dhe të kuqe sipas normave të infektimeve.
Sidoqoftë, në raportin e tij ECDC theksoi dobësinë e këtij sistemi semafor, duke përfshirë sisteme të ndryshme testimi në vendet e BE -së që penguan krahasimet statistikore. Rritja e vaksinimit gjithashtu duhej të merrej parasysh.
ECDC dha një numër opsionesh për ndryshim, duke përfshirë përdorimin e marrjes së vaksinës si një tregues, i cili mund të inkurajojë vaksinimet. Rreth 74% e të rriturve të BE -së tani janë plotësisht të vaksinuar dhe gati 80% kanë marrë të paktën një dozë vaksine.