Projektligji Bregu, riciklim i përpjekjes së qeverisë për të censuruar median

Projektligji Bregu, riciklim i përpjekjes së qeverisë për të censuruar median

Kuvendi do të shqyrtojë në ditët e ardhshme një projektligj i cili propozon amendimin e Kodit Civil për të ngarkuar me përgjegjësi përcjellësit e informacionit në internet për komentet që bëhen në to nga lexuesit e tyre.

Projektligji, i propozuar nga deputetja demokrate Majlinda Bregu, propozon shtimin e një neni në Kodin Civil, të titulluar “Përgjegjësia për publikimet online të komenteve që cënojnë nderin, personalitetin ose reputacionin e personit”, i cili detyron administratorët, e atyre që deputetja i quan në mënyrë të papërcaktuar “portale elektronike”, të pengojnë publikimin e “çdo komenti që cënon nderin, personalitetin apo reputacionin e një personi.”

Sipas propozimit, nëse administratorët i lejojnë dhe nuk i fshijnë këto komente, ata duhet të mbahen përgjegjës për shkaktimin e dëmit jopasuror, sipas parashikimeve të Kodit Civil për këtë vepër.

Projektligji përmban, gjithashtu, një propozim të dytë, i cili i detyron të gjithë administratorët e “portaleve elektronike” të botojnë në mënyrë të detyrueshme të dhënat e tyre të plota dhe informacion për mënyrën e kontaktimit të tyre. Në rast se ata nuk e bëjnë këtë gjë brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e ligjit, ligji detyron autoritetin shtetëror që mbikqyr komunikimet elektronike të ndërpresin qasjen e publikut në portalin përkatës.

Projektiligji i Zonjës Bregu duket se është ricklim, në një formë me të ashpër, i disa pikave të një propozimi të qeverisë Rama, i cili sidoqoftë nuk u kalua në Kuvend pas reagimit të ashpër të mediave kundër tij.

Në relacionin që shoqëron projekt-ligjin, deputejta Bregu e justifikon atë me harmonizimin e legjislacionit tonë me një vendim të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Vendimi në fjalë, i njohur si Delfi kundër Shtetit të Estonisë, shkurtimisht përmblidhet si më poshtë:

Delfi SA është një portal i rëndësishëm lajmesh në Estoni. Në Janar 2006, portali botoi një artikull, të konsideruar të ndershëm dhe të paanshëm, në të cilin ai informonte se një kompani tragetesh planifikonte të shkatërronte urat prej akulli—akulli që krijohet nga ngrirja e ujit të detit gjatë periudhës së dimrit, i cili është i kalueshëm për mjete të rënda dhe përdoret nga mjetet e transportit —me qëllim që të siguronte biznesin e tij të transportit me traget të pasagjerëve dhe mallrave edhe në dimër. Artikulli tërhoqi shumë komente, 20 prej të cilave ishin kërcënime dhe thirrje për dhunë ndaj pronarit kryesor të kompansië së trageteve të identifikaur me inicialin L. Disa nga komentet haptazi kërkonin që të rrihej dhe vritej L.

L. i kërkoi kompanisë që t’i fshinte këto komente dhe t’i paguante atij një shumë të caktuar si dëmshëprblim. Delfi i fshiu komentet, por nuk pranoi të paguante shumën e kërkuar si dëmshpërblim.

L. u ankua në gjykatat e Estonisë, të cilat e gjetën me vend ankesën e tij dhe mbajtën përgjegjës Delfin për lejimin e komenteve kërcënuese dhe nxitëse të dhunës kundër L. Në mënyrë simbolike gjykata e dënoi Delfin me dëmshpërblim në shumën prej 320 euro.

Mbas shterimit të gjykimit në sistemin estonez të drejtësisë, Delfi iu drejtua Gjykatës së Strasburgut duke kërkuar anullimin e vendimit pasi ai shkel Nenin 10 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, i cili garanton lirinë e shprehjes.

Në vitin 2015, Gjykata e Strasburgut arriti në përfundimin se vendimet e gjykatave estoneze nuk kishin shkelur Nenin 10 të KEDNJ.

Duke ju referuar këtij vendimi, deputetja Bregu shprehet se:

“Ky projektligj përafron legjislacionin shqiptar me praktiken ligjore të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, konkretisht Kompania Delfi AS kundër Republikës së Estonisë, në të cilën Gjykata shprehet se Kompania Delfi AS është konsideruar përgjegjëse për komentet e përdoruesve të portalit të saj të cilat shkojnë përtej kufijve të kriticizmit të pranueshëm dhe se do të duhej të kishte para ndaluar bërjen publike të këtyre komenteve.”

Është një justifikim që të paktën duket krejtësisht i keqargumentuar, nëse nuk është thjesht pretekst për censurim të mediave dhe kufizim të lirisë së shprehjes.

Së pari, “përafrimi i legjislacionit me praktikën e Gjykatës së Starsburgut” është një absurditet pasi Gjykata e Strasburgut, sikurse të gjitha gjykatat, nuk krijon legjislacion, por gjykon respektimin e ligjislacionit. Gjykatat nuk urdhërojnë dot ndryshime ligjesh, me përjashtim të shfuqizimit të ligjeve që gjykohen jokushtetuese.

Së dyti, relacioni keqinformon kur shprehet se Gjykata e Strasburgut e ka konsideruar përgjegjëse një portal për komentet e përdoruesve të tij. Këtë gjykim, në rastin në fjalë, e kanë shprehur gjykatat estoneze, në bazë të legjislacionit estonez dhe të BE-së. Gjykata e Strasburgut thjesht është shprehur se mbajtja përgjegjëse e portalit Delfit për komentet e përdoruesve, në rastin konkret dhe me veçantitë konkrete, nuk është dhunim i Nenit 10 të KEDNJ i cili sanksionon lirinë e shprehjes.

Së treti, në rastin e shqyrtuar, Gjykata e Strasburgut ka sqaruar se komentet e bëra ishin ekstreme—ato përmbanin kërcënime për jetën dhe thirrje që nxisnin dhunë ndaj individit. Prandaj, Gjykata e konsideroi përmbajtjen e komenteve si gjuhë urrejtjeje e cila nxit dhunë dhe si e tillë akt i paligjshëm kriminal.

Së katërti, Gjykata theksoi se gykimi i saj bazohet mbi faktin që Delfi është një media e cila menaxhohet në mënyrë profesionale dhe për qëllime tregtare, pra për fitim.

Njëri nga tre gjykatësit u shpreh saktësisht se “të mundëshoh teknikisht formave ekstremisht të dhunshme të shpifjes, për interesa të pandjeshme tregtare, dhe pastaj të ngresh supet… është krejtësisht e papranueshme.”

Vendimi e bën të qartë se gjykimi i tij nuk mund të zbatohet apriori mbi çdo lloj media apo faqe interneti veçanërisht nuk mund të zbatohet për ato që nuk mbahen për qëllime tregtare.

Përkundrazi, projekt-ligji Bregu jo vetëm që nuk bën asnjë dallim të tillë, por ai i shtrin kërkesat e tij edhe më tej, për çdo faqe në internet.

Për të kuptuar sa specifik është gjykimi që deputetja Bregu ka sjellë si justifikim për projektligjin, mjafton të përmendim se e njejta Gjykatë e Strasburgut në një tjetër çështje, MTE kundër Hungarisë, në prill 2016 vendosi se mbajtja përgjegjëse e një portali lajmesh dhe ndalimi i komenteve në të, në rretha të tjera spcifike nga ai i Delfit, ishte dhunim i Nenit 10 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Së fundmi, duhet thënë se legjislacioni i propozuar është i paprecedent në vendet anëtare të BE-së. Në formën e propozuar ai do të sjellë kufizim të qenësishëm të lirisë së shprehjes dhe do të zyrtarizojë censurën de facto mbi median.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>