Shumicës parlamentare në Bundestagun gjerman— CDU/CSU e drejtuar nga Kancelarja Merkel—ka vendosur të ndalojë hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Z. Gunther Krichbaum, Kryetar i Komisionit për Çështjet e BE-së në Bundestag, erdhi sot enkas në Tiranë për t’i njoftuar dhe shpjeguar Kryeministrit Rama qëndrimin gjerman.
Pas takimit me Kryeministrin, Zoti Krichbaum e bëri publik këtë qëndrim në një konferencë për median.
Z. Krichbaum deklaroi se Shqipëria nuk ka plotësuar katër kushte kyçe për hapjen e negociatave:
- Nuk është bërë asnjë përparim në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.
- Nuk është kryer reforma zgjedhore.
- Nuk është zbatuar ligji i dekriminalizimit.
- Reforma në drejtësi është bllokuar dhe nuk është e qartë se kur do të fillojë apo nëse duhet të ndryshohet.
Për këto arsye, ai deklaroi se shumica parlamentare gjermane është kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe këtë qëndrim ja ka përcjellë Kancelares Merkel, e cila është e detyruar t’i nënshtrohet vendimit të Bundestagut, i cili është institucioni vendim-marrës për hapjen ose jo të negociatave me vendet kandidate.
Shumica parlamentare gjermane ka hartuar një dokument me 7 pritshmëri që duhet të përmbushë Shqipëria në mënyrë që të çelen negociatat, duke theksuar se përmbushja e tyre duhet të dëshmohet në progres-raportin e pranverës së vitit 2018.
Më poshtë janë përmbledhur këto qëndrime:
- Zbatimi në praktikë i ligjeve të reformës në administratën publike, sikurse kërkohet në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian.
- Zbatimi i plotë dhe i qëndrueshëm i reformës në drejtësi. Miratimi dhe zbatimi i të gjitha ligjeve të reformës në drejtësi. Kryerja e vetingut të rreth 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve; zbatimi në praktikë i rekomandimeve të komisionit ndërkombëtar të monitorimit.
- Duhet të ketë arritje të konsiderueshme në luftën kundër korrupsionit, e cila është në nivele të pamjaftueshme. Korrupsioni është i përhapur gjerësisht në shumë sektorë, përfshi drejtësinë dhe policinë. Duhet të ketë padi dhe dënime të formës së prerë të funksionarëve të lartë të korruptuar. SPAK duhet të jetë e pavarur nga ndikimi politik.
- Duhet të ketë arritje në luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, si kusht themelor “për të ndalur depërtimin e krimit në politikë, drejtësi dhe ekonomi.” Ka pasur hapa mbrapa në disa drejtime të luftës kundër trafikut të drogës. Lufta kundër drogës duhet të kthehet në luftë mbarëshoqërore, për të cilën duhet të luftojnë të gjitha partitë.
- Duhet të plotësohen rekomandimet për të drejtave e njeriut, mosdiskriminimin dhe të drejtën e pronës, të paraqitura në Raportin e Përparimit të Komisionit Evropian të nëntorit 2016.
- Duhet të kryhet reforma zgjedhore para zgjedhjeve të qershorit 2017. Zgjedhjet e 2017-s duhet të bëhen në bazë të një kodi të ri zgjedhor dhe duhet të përmbushin standardet evropiane.
- Duhet të zbatohet ligji i dekriminalizimit. Disa veprime të pakta që janë marrë nuk mund të fshehin të vërtetën se në këtë fusha arritjet janë shumë të pakta. Në pushtetin qendror dhe vendor dhe veçanërisht në Kuvend, ka ende persona me urdhra arresti kombëtar dhe ndërkombëtar dhe të dënuar me vendime gjykate.