Dy javë para vendimit të Këshillit Europian në lidhje me hapjen e negociatave me Shqipërinë, Kryeministri Edi Rama i kujtoi sërish BE-së kërcënimin e përhapjes së islamit radikal nëse ajo nuk do të hapë dyert për Ballkanin Perëndimor.
Sipas Reuters, në një intervistë për të përditshmen gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, Zoti Rama pohoi:
Nëse duam një Europë të sigurtë dhe të stabilizuar, nuk është mirë që të ketë boshllëqe. Nuk duhet të harrojmë se ka palë të treta që po luajnë lojën e tyre dhe do të përfitojnë nga vakumi që le Bashkimi Europian. E kam fjalën për Rusinë, por edhe për Islamin radikal.
Kryeministri e ka përdorur edhe herë të tjera tezën e të ashtuquajturit rrezik për përhapjen e islamit radikal si kundërpërgjigje për hezitimin e BE-së për zgjerim e saj.
Në korrik të 2015, në një intervistë për Financial Times, ai u shpreh se:
Një i ri në Tunizi ose Tobruk ndjen se nuk ka të ardhme, por në Shqipëri ylli në qiell është Europa. Në Ballkan gjenden myslimanët më proamerikanë dhe proeuropianë në botë, por kjo është duke ndryshuar. Dhjetë vjet më parë 98 për qind e shqiptarëve në fillim besonte tek Amerika, pastaj tek Zoti dhe Europa.
Kjo tezë, paralajmërim apo kërcënim, hidhet në publik sa herë që ngec anëtarësimi i Shqipërisë në BE. Ajo përdoret si mjeti i fundit për të dalë nga situata.
Por, ndërmjet politikës së ndjekur nga Kryeministri Rama në lidhje me rrezikun e islamit radikal në Ballkan dhe deklaratave të tij ka një paqëndrueshmëri logjike.
Vetëm këtë vit, nga janari deri në shtator, u vendosën në Shqipëri mbi 2 mijë muxhahedinë iranianë, në bazë të një marrëveshjeje mes qeverisë amerikane dhe asaj shqiptare.
Në fillim të vitit 2016, qeveria shqiptare i erdhi në ndihmë administratës Obama, duke marrë përsipër pranimin në Shqipëri të të gjithë muxhahedinëve të mbetur në Irak.
Gjatë tre viteve të qeverisjes së tij, Kryeministri Rama e ka takuar presidentin Erdogan— një mbështetës i islamit radikal, që ka vendosur në Turqi një regjim de facto diktatorial—më shumë se çdo kryetar tjetër qeverie në botë, plot gjashtë herë. Madje, Zoti Rama ka qënë i ftuar si dëshmitar personal në martesën e vajzës së Erdoganit.
Qeveria turke ka financuar në Shqipëri ndërtimin e xhamisë më të madhe në vend, Xhaminë e Namazgjasë në Rrugën e Elbasanit.
Gjithashtu, ka financuar edhe uniformat e reja të policisë të reklamuar nga Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm me shfaqje të pompoze të organizuar në Pallatin e Kongreseve.
Si shkëmbim, qeveria shqiptare, në nëntor të 2016, plotësoi kërkesën e qeverisë turke për ndalimin në institucionet arsimore jopublike në Shqipëri të përdorimit të emërtimeve dhe simboleve turke. Kërkesa e qeverisë turke ishte një nga masat që Presidenti Erdogan morri ndaj predikuesit Fetullah Gylen.
Po, ky veprim i ashpër i luftës kundër lirisë së shprehjes, me siguri nuk është në lartësinë e standarteve të BE-së.
Pra, Kryeministri Rama nuk duket se i beson me të vërtet “paralajmërimit” të tij për përhapjen e islamit radikal në Ballkan. Për më tepër duket se atë nuk e merr seriozisht asnjë vend i BE-së. Ndaj, këto vende po i kërkojnë vazhdimisht atij zbatimin e reformës në drejtësi, zgjedhje të lira, lirinë e shprehjes dhe luftë serioze kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.