Ministria e Shëndetësisë i jep mbi 2 milionë euro në 3 muaj kompanisë së Check-Up-it

Ministria e Shëndetësisë i jep mbi 2 milionë euro në 3 muaj kompanisë së Check-Up-it

Kompania e farmaceutikës Trimed shpk, në pronësi të Zonjës Vilma Nushi, ka fituar tendera me vlerë më shumë se 2,2 milionë euro nga gushti deri në nëntor 2016.

Trimed -e njohur për koncesionin e kontrollit falas të popullatës nga mosha 40 – 65 vjeç (Check–Up) – ka fituar më 30 nëntor, tenderin për furnizimin e spitaleve me paisje dhe proteza ortopedike me një vlerë prej 772 mijë euro. Tenderi është pjesë e një projekti të gjerë të qeverisë për furnizimin falas me proteza ortopedike për qytetarët. Ky projekt u bë publik në gusht të vitit 2016.

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, në një intervistë për Ballkanweb u shpreh se:

Prej muajit shtator 2016 kemi filluar të furnizojmë spitalet tona me protezat ortopedike. Vlerësuam nevojat në bazë të eksperiencës së operacioneve (ku qytetarët i kishin blerë vetë protezat) të kryera në vitin 2015 në tri spitale.

Kështu që vendosëm që të fillojmë të financojmë protezat edhe në spitale të tjerë, qoftë për të shkurtuar kohën e pritjes, qoftë për të ofruar shërbim sa më pranë vendbanimit të pacientëve, qoftë për të ulur ngarkesën në spitalet tona kryesore.

Oferta e kompanisë Trimed ishte vetëm 0,1 për qind më pak se vlera maksimale e buxhetit të tenderit.

Në gusht të këtij viti, Trimed fitoi edhe tenderin për protezat ortopedike me vlerën e rreth 1.46 milionë euro. Tenderi i fituar në gusht i dha përparësi kësaj kompanie, duke e bërë të vetmen kompani të kualifikueshme ndër pesë kompanitë pjesëmarrëse në tender.

Me një model tashmë të ditur, katër kompanitë e tjera pjesëmarrëse u skualifikuan sepse nuk dorëzuan në kohë propozimin e plotë.

Oferta e lartë e paraqitur nga kompania Trimed në të dy tenderat e qeverisë dhe mungesa e çdo lloj konkurrenti tjetër tregojnë qartë se procedurat e prokurimit publik nuk përmbushin qëllimin e tyre për të krijuar një treg të hapur dhe konkurrues për të gjithë kompanitë në fushën e shërbimeve të shëndetësisë.

Sipas të dhënave të publikuara në Open Data Procurement Albania, Trimed ka qenë pjesëmarrësja e vetme në rreth gjysmën e tenderave të fituara nga ajo.

Të ardhurat e kompanisë janë rritur ndjeshëm me ardhjen në pushtet të qeverisë Rama. Pagesat e kryera nga thesari i shtetit për kompaninë Trimed vetëm për këtë vit janë rreth 914 mijë euro.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>