Basha: Parti të mëdha janë ato që dinë të kuptojnë dhe përballen me sfidat e popujve të tyre

Basha: Parti të mëdha janë ato që dinë të kuptojnë dhe përballen me sfidat e popujve të tyre

Në përvjetorin e 26-të të pluralizmit dhe themelimit të Partisë Demokratike, kryetari i saj Lulzim Basha ka folur për ndryshimin e PD-së dhe të politikës në vend.

Më poshtë janë disa nga pohimet kryesore të Zotit Basha në fjalën e tij.

“Nderimi për të shkuarën dhe respekti për arritjet tona nuk mund të na bëjnë të verbër ndaj të tashmes ku jemi, dhe të ardhmes ku duam të shkojmë. Çfarëdo që ne kemi bërë mirë, nuk mund të fshehë apo justifikojë ato që nuk kemi bërë, apo ato që kemi bërë gabim.”

“Mungesa e llogaridhënies dhe mosndëshkueshmëria e ka shtyrë politikën e kalbëzuar tek çdo lloj mjeti e mekanizmi të paligjshëm dhe kriminal, për të siguruar dhe mbajtur pushtetin.”

“Ortakëria mes politikanëve dhe klientëve të partisë ka shkatërruar çdo mundësi për një ekonomi të lirë të tregut. Ortakëria mes politikanëve dhe medias e shoqërisë civile ka dobësuar mekanizmat e mbikëqyrjes dhe kontrollit ndaj qeverisë. Etja për të marrë pushtetin me çdo kusht, e shtyu politikën në kthetrat e krimit dhe solli kriminelët në majat e pushtetit.”

“Viktimat e kësaj politike janë njerëzit e thjeshtë, të cilët janë sot të tradhëtuar dhe të braktisur në varfërinë dhe pamundësinë e tyre.”

“Sfida jonë më e madhe, sfida vendimtare e Partisë Demokratike është kthimi i besimit të njerëzve tek politika, që është kusht për të kthyer besimin e njerëzve tek e ardhmja.”

“Parti të mëdha janë ato që dinë të kuptojnë dhe përballen me sfidat e popujve të tyre. Partia Demokratike do të gjejë kurajon dhe largpamësinë të përballet me këtë sfidë: ne do të ndryshojmë veten sot, që të ndryshojmë nesër Shqipërinë. Ne duhet dhe do të bëjmë sot atë që bëmë një 26 vjet më parë: të jemi partia e mundësive për të gjithë.”

“Partia Demokratike duhet dhe do të jetë një parti e lirisë së mendimit, e mundësive pë të gjithë dhe e vlerave të përbashkëta.”

“Do t’u ofrojmë shqiptarëve një model të ri politik e shoqëror, ku pushteti do të jetë i kufizuar dhe qytetari do të jetë i fuqizuar. Ku deputetët do të zgjidhen përmes vendimmarrjes me anëtarësinë dhe votuesit, që nesër ata të jenë përfaqësues në radhë të parë të qytetarëve dhe jo të partisë.”

“Ne do të krijojmë mundësitë për konkurrencën e alternativave brenda partisë. Ne do të shkurtojmë kohëzgjatjen e mandatit të kryetarit dhe drejtuesve në dy vjet. Në këtë mënyrë, çdokush që ka një vizion apo një alternativë tjetër, do të ketë mundësinë të konkurrojë që vizioni i tij apo i saj të bëhet vizioni i partisë.”

“Vendimet e rëndësishme do t’i besohen anëtarëve, duke e lidhur fatin politik dhe karrierën politike të çdokujt me anëtarët dhe jo me kryetarin. Jo vetëm kryetari dhe drejtuesit e lartë do të zgjidhen me votën e të gjithë anëtarësisë, por edhe të gjithë kandidatët që konkurojnë për funksione publike, përfshirë kryetarët e bashkive dhe deputetë, do të përzgjidhen me një anëtar një votë.”

“Ne do të punojmë që në zgjedhjet e ardhshme për përzgjedhjen e kandidatëve përmes votës së anëtarëve në disa zona elektorale, për ta shtrirë më vonë në të gjithë vendin.”

“Le ta dijnë të gjithë: përfaqësimi politik i PD do të vendoset nga anëtarët e saj.”

“Ne do të krijojmë një strukturë partiake perëndimore, të çliruar nga ofiqet dhe pushtetet, duke ndërtuar një platformë moderne që ka për qëllim ti ofrojë mundësitë çdo anëtari dhe anëtare për karrierë dhe garë elektorale, por jo të ushtrojë pushtet mbi anëtarësinë.”

“Unë e ndjej që sot ka kudo dëshpërim dhe mosbesim. Ajo që unë ju kërkoj të gjithë qytetarëve, jo vetëm demokratëve por çdokujt, është të mos besoni verbërisht tek premtimet e mia, por të bëheni pjesë e këtij ndryshimi duke kontribuar me pjesëmarrjen tuaj, përfshirjen tuaj, idetë tuaja, aktet tuaja publike.”

“Një Parti Demokratike e hapur dhe e lirë është një e mirë publike për të gjithë shqiptarët. Nëse edhe partitë e tjera hapen dhe ndahen nga autokracia e brendshme kjo do të jetë një arritje e madhe për Shqipërinë.”

“Unë isha 17 vjeç kur lindi Partia Demokratike. Sot jam kryetar i saj. Unë jam i vetëdijshëm se kam arritur këtu vetëm sepse Partia Demokratike në momente të caktuara kuptoi rëndësinë e hapjes së saj ndaj njerëzve dhe vlerave që ata sjellin. Nëse ka diçka që unë jo vetëm besoj por edhe jam provë e gjallë e saj është se hapja sjell fryte, liria sjell mundësi.”

“Tani është rradha ime jo vetëm të kontriboj për të hapur Partinë Demokratike por për të garantuar që ajo do të jetë përherë e hapur dhe përherë e lirë: një parti ku të gjithë ata që duan të kontribuojnë në politikën dhe qeverisjen e vendit do të gjejnë përherë një mundësi dhe ku fati dhe karriera e tyre do të varet vetëm nga aftësia, talenti dhe kontributi i tyre.”

“Partia Demokratike e Shqipërisë, lindi e madhe prej rrethanave. Qëndroi e madhe prej punëve të mira në dobi të vendit dhe demokracisë. Do të bëhet edhe më e madhe prej hapjes, prej bashkimit prej ndryshimit dhe modernizmit të saj.”

“Partia Demokratike do të jetë gjithmonë ajo që u krijua: Partia e Lirisë, Partia e mundësive, Partia e të gjithë njerëzve.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>