Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, dy ditë më parë, gjatë mbjelljes propagandistike të disa fidanëve në të ashtuquajturin park urban në Laprakë, iu drejtua kritikëve të tij për planin e betonizimit të plotë të Tiranës, me fjalët:
Sikur të gjithë ekspertët e baltës të kishin mbjellë nga një pemë për çdo shpifje e cifël balte që hedhin mbi Bashkinë e Tiranës, do i kishim ato 2 milionë pemë.
Pastaj Zoti Veliaj i bëri thirrje për të disatën herë popullit të bëjë punë vullnetarë për mbjellje fidanësh.
“Kush do të kontribuojë, ka lopatën, pemë. Kush do që ta gjelbërojë Tiranën le të ndihmojë konkretisht, le ta bëjë konkretisht”- u shpreh ai.
Kjo thirrje për t’u kthyer tek puna vullnetare e mbjellës së fidanëve është mentalitet komunist—në demokraci “lopat”a i takon atij që populli i ka dhënë votën. Qyetetarët e Tiranës kanë votuar dhe paguajnë Veliajn për të marrë lopatën dhe nuk e kanë caktuar brigadier që ju cakton punën vullnetare.
Por Veliaj mendon se lopata i takon popullit, ndërsa ai lulishtet dhe zonat e gjelbëra po i jep për sheshe ndërtimi për oligarkët parazitë të vendit.
Gjatë dëgjesës, një qytetar pyeti drejtuesit e bashkisë (kryetari kishte ikur të celebronte një çift) nëse do të ndërtohet një kullë 30-40 katëshe në parkun e lojrave “7 xhuxhat”. Drejtuesi i bashkisë iu përgjigj se kjo nuk i takon Bashkisë por Këshillit Kombëtar të Territorit, duke lënë të nënkuptohet se do të ndërtohet.
Për të kompensuar hapësirën e humbur në zemër të qytetit, Erion Veliaj ka si zgjidhje lopatën në duar të qytetarëve për të mbjellë fidanë në periferi ose në Paskuqan.