Fillon zbatimi i reformës në drejtësi

Fillon zbatimi i reformës në drejtësi

Të hënën, Kuvendi shpalli vendet bosh dhe ftoi në një proces të hapur pesë kandidaturat nga publiku për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLG) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP). Afati i aplikimit për të gjithë personat e interesuar do të jetë i hapur deri më 16 janar.

KLGj dhe KLP —institucione të reja të krijuara nga reforma në drejtësi—do të zëvendësojnë Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ato do të jenë institucionet përgjegjëse për sigurimin e pavarësisë, mbarëvajtjes dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor dhe atë të prokurorisë.

Tashmë me hyrjen në fuqi të ligjit të vetingut, aplikantët do të paraqesin dosjet e tyre pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, i cili do të verifikojë përputhshmërinë me kriteret e shpallura të kandidimit të çdo kandidature dhe do të bëjë një listë me të gjitha kandidaturat. Mënyrën se si do të kryhet procesi i përzgjedhjes së kandidaturave për këto institucione e kemi shpjeguar këtu.

Verifikim i të gjithë kandidatëve do të bëhet nga tre institucione të përkohëshme— Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), Komisionerët Publikë dhe Kolegji i Apelimit në Gjykatën Kushtetuese, të ndihmuar dhe vëzhguar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit—të cilët shpjegohen këtu së bashku me mënyrën e kryerjes së vetingut.

Ligji “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” cakton tre muaj kohë për verifikimin e kandidatëve të përzgjedhur të KLGJ dhe KLP. Kjo do të thotë se brenda muajit prill duhet të formohet edhe KPK-ja. Sipas, ligjit të vetingut lista e anëtarëve të KPK do të hartohet nga Presidenti.

Procedurat për formimin e këtyre institucioneve duhet të kishin filluar në dhjetor të vitit 2016. Por, ky afat u tejkalua si pasojë e bllokimit të ligjit të vetingut nga Partia Demokratike. Tejkalimi i afateve ka bërë që institucionet e vetingut do të krijohen pasi të jenë përpiluar lista e kandidaturave për KLGJ dhe KLP. Kjo gjë krijon dyshime për prekjen e pavarësisë së procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të KLGJ-së dhe KLP-së.

Ndërkohë ligji i organeve qeverisëse të sistemit të drejtësisë është dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Demokratike.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>