Lokalet e basteve, kazinot apo lojërat e tjera të fatit të cilat ndodhet afër shkollave, institucioneve fetare apo instucioneve të arsimit të lartë kanë gjashtë muaj kohë për t’u zhvendosur — kështu parashikohet në urdhërin e miratuar nga Ministria e Financave në muajin janar.
Pavarësisht shtyrjes së afatit për zbatimin e ligjit më 22 dhjetor 2016, ministri Ahmetaj ka miratuar gjashtë urdhëra për fillimin e zbatimit të ligjit dhe për rregullimin e tregut të lojrave të fatit.
Sipas urdhërit Nr. 5, neni 2 (h), ambjentet e lojrave të fatit duhet të jenë 100 metra në vijë ajrore larg nga shkollat, institucionet e arsimit të lartë dhe institucionet fetare. Brenda afati të përcaktuar nga ministria, bizneset e lojrave të fatit duhet të marrin masat e nevojshme për të plotësuar kërkesat e parashikuara në urdhërin e ministrit dhe për t’u zhvendosur sipas distancave të kërkuara.
Në 22 dhjetor 2016, Kuvendi shtyu me dy vjet afatin për zhvendosjen jashtë qytetit të pikave të lojrave të fatit. Sipas ligjit të miratuar nga qeveria në vitin 2015 afati ishte deri në janar të vitit 2017. Por me propozim të gjashtë deputetëve të shumicës dhe me mbështetjen e ministrit Ahmetaj, ky afat u shty me dy vjet deri në dhjetor 2019.
Shtyrja e afatit me dy vjet u argumentua me justifikimin se zhvendosja e lokaleve të basteve dhe kazinove do të ulte të ardhurat e shtetit, duke dëmtuar buxhetin.
Ministri Ahmetaj, në atë kohë, u shpreh se kjo humbje llogaritejë në rreth 18 milionë euro, ndërsa deputetët e vlerësuan dëmin në rreth 116 milionë euro. Asnjë nga këto shifra nuk ishte e bazuar në ndonjë vlerësim ekonomikë për ndikimin e kësaj industrie në buxhetin e vendit.